Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka reaguar lidhur me akuzat që u artikuluan ditën e djeshme nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha për një kompani mjetesh lundruese në pronësi të tij.
Sipas ekstraktit të QKB, që u publikua dje në media dhe më pas iu referua edhe Berisha, ministri Çuçi figuron pronar i subjektit ‘Albanian Sailing Club’.
Por sipas ministrit të Brendshëm, në këtë rast kemi të bëjmë vetëm me një shoqatë velierash sportive, që ai e ka “krijuar me miq pasionantë të tyre”.
Reagimi i Ministrit të Brendshëm:
Ka një përpjekje për të prodhuar fakte që të ilustrojnë akuzat e gatshme të Sali Berishës ndaj meje pas tragjedisë së fundit në Himarë. Për respekt të opinionit publik, që me të drejtë është i ngarkuar nga tragjedia e vajzës 7-vjeçare dhe dhimbja e familjes së saj, dua të sqaroj se sajesat me emrin tim dhe një shoqatë velierash sportive që kam krijuar me miq pasionantë të tyre, nuk kanë lidhje me asnjë biznes dhe aq më tepër me skafe apo gomone.
I hedh poshtë me neveri këto sajesa, pasi duan të keqpërdorin në mënyrë të neveritshme këtë ngjarje tragjike, për ta mbajtur gjallë për hallet e tyre politike.
Gjatë këtyre ditëve të rënda për çdo shqiptar, por veçanërisht për familjen e vajzës dhe për ne që jemi përgjegjës për sigurinë e jetës së tyre, jam përpjekur të flas me veprime konkrete kundër fajtorëve të asaj tragjedie, të cilët tani janë para drejtësisë, përfshirë gjithashtu dhe të gjithë zinxhirin komandues të Policisë Kufitare Vlorë.
Mendoj se kjo është rruga e duhur për të respektuar dhimbjen e familjes së vajzës dhe të afërmve të saj. Rruga për t’u përballur me baltën e Sali Berishës është 30- vjeçare dhe nuk më sfidon. Thjesht e kemi detyrim ndaj shqiptarëve të ndajmë fatin e Shqipërisë nga fati dhe balta e tij.