Presidenti Bujar Nishani dekoroi disa ditë më parë një numër nacionalistësh të ekzekutuar gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore duke nxitur një furtunë reagimesh ndaj tij prej disa historianësh dhe një numri ish-eksponentësh të regjimit komunist.
Akuzat kryesore fokusoheshin në faktin se shumë prej personave të dekoruar nga Nishani kishin qenë bashkëpunëtore të pushtuesve. Presidenca ka reaguar sot ndaj akuzave të hedhura duke përdorur një gjuhë të ashpër, jo siç jemi mësuar zakonisht nga ky institucion. “Institucioni i Presidentit të Republikës hedh poshtë të gjitha sulmet dhe provokimit e adresuara nga nostaligjikët enveristë të diktaturës më të egër dhe të urryer të pasluftës së Dytë Botërore në Evropë, Diktaturës Hoxhiste. Kujtimi dhe dekorimi i 67 nacionalistëve të ekzekutuar nga dora kriminale e një grupimi të bolshevikëve shqiptarë të orientuar nga të dërguarit jugosllavë, është një detyrim dhe përgjegjësi historike e Shqipërisë së sotme euro-atlantike”., – shkruhet në reagimin e Presidencës.
Reagimi i plotë
Institucioni i Presidentit të Republikës hedh poshtë të gjitha sulmet dhe provokimit e adresuara nga nostaligjikët enveristë të diktaturës më të egër dhe të urryer të pasluftës së Dytë Botërore në Evropë, Diktaturës Hoxhiste. Kujtimi dhe dekorimi i 67 nacionalistëve të ekzekutuar nga dora kriminale e një grupimi të bolshevikëve shqiptarë të orientuar nga të dërguarit jugosllavë, është një detyrim dhe përgjegjësi historike e Shqipërisë së sotme euro-atlantike.
Asnjë prej martirëve të ekzekutuar dhe në asnjë moment të vetëm të jetës së tyre nuk pati një bashkëpunim me pushtuesin. Përkundrazi, ata ishin luftëtarë të lirisë kundër nazi-fashizmit. Ata u ekzekutuan në mënyrën më makabre të mundshme vetëm për faktin se ishin kundër modelit dhe ideologjisë bolshevike, që një grup individësh po përhapnin përmes terrorit në viset shqiptare. Ata u ekzekutuan në mënyrën më kriminale të mundshme pasi ishin kundër shitjes së trojeve shqiptare tek të huajt. Ata u ekzekutuan se kërkonin orientimin perëndimor të Shqipërisë.
Institucioni i Presidentit të Republikës e konsideron të papranueshme ringjalljen e urrejtjes staliniste, veçanërisht kur ajo vjen nga anëtarë të Kabinetit Qeveritar të një vendi anëtar i NATO-s dhe kandidat për Bashkimin Evropian.
A nuk u ekzekutuan pa gjyq me qindra intelektualë në qytetet e Shqipërisë me akuzat e rreme të bashkëpunimit me pushtuesin? A nuk u ekzekutuan dhe burgosën me qindra klerikë martirë me akuzat e rreme të bashkëpunimit me pushtuesin?
A nuk u ekzekutuan, burgosën, interrnuan me qindra mijëra shqiptarë të pafajshëm me akuzat se ishin bashkëpuntorë të “imperializmit” dhe të “revizionizmit”?
A nuk u ekzekutuan në kufi me qindra të rinj me akuzën se donin të tradhëtonin Atdheun dhe partinë?
A nuk u konfiskua çdo pronë shqiptarëve me akuzën se ishin armiq të pushtetit po të pasuroheshin me pronat e tyre?
A nuk u burgos brenda një kampi të madh me tela një popull i tërë i lënë në varfëri ekstreme dhe padituri të thellë me akuzën se liria është opium për popullin?
Ky realitet shqetësues tregon se sa shumë është dëmtuar shoqëria shqiptare nga moshetimi dhe mosdënimi i krimeve të komunizmit, si i vetmi vend ish-diktatorial që nuk e ka kryer këtë proces. Këto provokime na treguan edhe njëherë se sa seriozisht e kërcënuar mbetet liria jonë. Ata që e kanë përdhosur Luftën Antifashiste dhe sakrificat për liri të shqiptarëve duke kryer krime mbi shqiptarët, do të mbeten përjetësisht në altarin e turpit të historisë së kombit shqiptar.