Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, ka reaguar lidhur me akuzat e ngritura ndaj saj për fshehje pasurie në Kroaci.

Përmes një deklarate për mediat, zyra për shtyp e Delegacionit Europian në Tiranë sqaron se “Ambasadorja Vlahutin u largua nga pozicioni i Këshilltarit për Punët e Jashtme të Presidentit të Kroacisë më 30 shtator 2014, dhe ka dorëzuar formularin e deklarimit sipas të gjithë parametrave, përfshirë informacione mbi pagën mujore, pasuri të paluajtshme dhe kredi, si për veten e saj, ashtu edhe për anëtarët e familjes së afërt”. “Në janar 2015, formulari i deklarimit për zyrtarët publik në Kroaci u ndryshua në një formular shumë më të detajuar në format elektronik. Për këtë arsye, Komisioni kishte dërguar një shkresë zyrtare me anë të së cilës kërkonte sqarime të mëtejshme për disa çështje, por këtë shkresë Ambasadorja Vlahutin nuk e kishte marrë, për arsye se ajo nuk ishte më banuese në Zagreb, pasi kishte lëvizur në Tiranë në tetor 2014” thuhet më tej në sqarim. Sipas zyrës për shtyp të Delegacionit Europian në Tiranë “në janar 2016, Ambasadorja Vlahutin gjeti në postën e saj një letër tjetër dhe u lidh menjëherë me Komisionin, duke kërkuar mundësinë e plotësimit të pjesëve të reja të formularit. Por kjo nuk ishte e mundur nga pikëpamja procedurale, për arsye se regjistrat në Kroaci janë aktivë vetëm për një periudhë deri në 12 muaj pas largimit nga shërbimi publik dhe Ambasadorja Vlahutin nuk e kishte më statusin e zyrtarit publik, siç shpjegohet edhe në vendimin administrativ të Komisionit”. “Për më tepër, zyrtarët kroatë në kategorinë e Ambasadores Vlahutin u nënshtrohen një verifikimi sigurie të hollësishëm (sekret NATO/BE) i cili përfshin një sasi edhe më të hollësishme dhe tërësore informacioni se sa deklarimi, përfshirë të gjitha informacionet mbi transaksionet financiare dhe pasurinë” përfundon sqarimi.

Artikulli paraprakGOMAT DIGJEN PA U SHQETESUAR NGA ASKUSH,QYTETARET DENONCOJNE
Artikulli tjetërSEKUESTROHEN 5.1 KG HEROINE, VLERA 500 MIJE EURO