Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.do të dalin në Gjykatën Specialie të Hagës në seancën e dytë e parashikuar për ditën e sotme.
Seanca është njoftuar nga Dhomat e Specializuara në kalendarin e saj dhe pritet të fillojë në orën 11:00.
Disa ditë më parë, Thaçit iu komunikuan akuzat që rëndojnë mbi të, të cilat ish-Presidenti i Kosovës dhe bashkëluftëtarët e tij i kanë mohuar të gjitha.
Thaçi është treguar i kursyer në fjalët e tij duke lënë avokatin mbrojtës, David Hooper.
“Akuza është krejt e paqëndrueshme dhe deklarohem i pafajshëm plotësisht për të gjitha pikat e akuzës”, tha ish-Presidenti.
Mbi Ish- presidentin Hashim Thaçi rëndojnë 10 akuza, për përndjekje, burgosje, ndalim arbitrar, aktet të tjera ç’njerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje si krim kundër njerëzimit, vrasje e paligjshme si krim lufte, zhdukje me forcë e personave, në periudhën mes prill 1998- gushtit 1991.
Me qëllim të konfirmimit të aktakuzës kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Prokuroria e Specializuar në Hagë, disponon një material prej rreth 43 mijë faqesh, duke përfshirë raporte, deklaratat të dëshmitarëve, fotografi, e mbi 20 orë material audio-vizuel dhe 153 dëshmitarë.
Sipas parashtresës së Prokurorisë, ajo parashikon sigurimin e hollësishëm të materialit me prova për mbrojtjen deri më 30 prill 2021, kurse shton se do të jetë në gjendje t’i ofrojë listën e plotë të dëshmitarëve deri më 31 maj 2021, me kusht që procedurat aktuale paraprake pranë Dhomave të Specializuara të jenë afër përfundimit dhe se në të njëjtën kohë është planifikuar fillimi i gjykimit.