Ministria e Puëve të Jashtme ka ndëprerë mandatin e konsullit të nderit të Republikës së Shqipërisë në Nigeri, Nitin Sandesara.
Ai është një prej dy vëllezërve indianë të shpallur në kërkim ndërkombëtar për mashtrim. Ata akuzohen për pastrim parash dhe për zhdukjen e plot 725 milionë dollarë.
Dy vëllezërit ushtrojnë një aktivitet në fushën e ndërtimit në Shqipëri dhe dyshohet se kanë gjetur terren në vendin tonë për të pastruar paratë. Jo vetëm që u bënë ndërtues, por ata kanë mundur edhe të marrin nënshtetësinë shqiptare nga Presidenti Ilir Meta.
Reagimi i plotë i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme informon sa më poshtë lidhur me rastin e Konsullit të Nderit të Shqipërisë në Nigeri, Nitin Sandesara:
Procedura e emërimit të z.Nitin Sandesara si Konsull Nderi i Republikës së Shqipërisë në Nigeri ka përfunduar në janar 2019. Në zbatimin e procedurës së emërimit janë marrë në konsideratë kriteret dhe kushtet e përcaktuara në Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore.
Dhënia e nënshtetësisë shqiptare dhe pajisja me pasaportë shqiptare e z. Sandesara nuk është procedurë, e cila ka kaluar nëpërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, apo është në kompetencat e këtij institucioni.
Për më shumë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, sqaron se, ndonëse ka të drejtën e pajisjes me pasaporta diplomatike dhe shërbimi, sipas VKM-së 335, dt. 2.9.1997, z. Sandesara nuk është pajisur, as me pasaportë diplomatike, as me pasaportë shërbimi.
Rasti i artikuluar së fundmi i z. Sandesara me nënshtetësi shqiptare, mund të cënojë imazhin dhe reputacionin e Institucionit të Konsullit të Nderit, por edhe atë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe shtetit shqiptar në përgjithësi, pavarësisht faktit se veprimet e ndërmarra prej z. Sandesara janë në emrin e tij personal.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, informon se, ka të gjitha të drejtat ligjore për ndërprerjen e mandatit të Konsullit të Nderit.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka ndërprerë mandatin si Konsull Nderi të Republikës së Shqipërisë në Nigeri për z.Nitin Sandesara me efekt të menjëhershëm.