Gjykata e Durrësit ka vendosur “pro” ekstradimit te 23-vjecarit Elton Sefa, i cila akuzohet nga autoritetet angleze për vrasjen e një shtetasi britanik.
Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Rexhep Bekteshi vendosi të mos pranonte kërkesën e palës mbrojtëse që pretendon se Sefa është person me probleme mendore dhe se nuk duhet te ekstradohet.
Ky është rasti i parë që një shtetas shqiptar ekstradohet drejt Mbretërisë së Bashkuar. Arsen Caushaj, avokati mbrojtës i 23- vjeçarit i cili është arrestuar nga policia shqiptare ka kërkuar pezullimin e këtij vendimi duke vënë para gjykatës dhe prokurorit Ilir Turja një sërë dokumentesh që vërtetojnë se 23-vjeçari është i papërgjegjshëm mendërisht me diagnozën çrregullim psikotik.
Rezulton se 23-vjeçari pasi është kthyer nga Anglia i papërgjegjshëm mendërisht është shtruar në spitalin psikiatrik në Tiranë prej 26 shtatorit 2018 deri në 13 gusht 2018. Prindërit e 23-vjecarit thonë se drejtësia nuk ka funksionuar, duke theksuar se me këtë vendim gjykata e Durrësit i ka vrarë familjarisht.
“Jemi familje të sëmurë, ato nuk na shikojnë as me prova, as me letra. Na kërkojnë të na vrasin, të katërtëve. Jam më tepër i kënaqur të na vrasin shteti shqiptar”, u shpreh babai.
“Është i pafajshëm se ai është i sëmurë, prej një viti dhe ilaçet s’kemi mundësi për t’i blerë”, u shpreh nëna e 23-vjeçarit, ndërkohë babai tregon ilaçet. “Nuk ia kam blerë të gjitha ilaçet se nuk kam mundësi, marr pension invalidi”, tha babi. Bashkë me prindërit, në seancën gjyqësore ishte edhe e motra, e Elton Sefës, invalide.
Sefa do të jetë shqiptari i parë që pritet të ekstradohet në Mbretërinë e bashkuar pas një marrvëshje mes Anglisë dhe Shqipërisë për ekstradimin e ndërsjelltë të shtetasve shqiptarë dhe britanikë, të cilët përfshihen në veprimtari kriminale në dy vendet respektive dhe i fshihen drejtësisë.