Serbia duhet të pranojë realitetin që e ka humbur kontrollin mbi Kosovën, dhe duhet të gjejë një kompromis për të normalizuar raportet me Prishtinën. Kështu ka deklaruar dje presidenti, Aleksandar Vuçiç në Parlamentin e Serbisë.
“Ne duhet të pranojmë që jemi mposhtur… Kemi humbur territorin”, ka thënë Vuçiç gjatë seancës speciale të dedikuar për Kosovën. “Unë kam zgjedhur të mos vazhdojë me gënjeshtra dhe mashtrime. U kam thënë të gjithëve: S’ka autoritete serbe në Kosovë përveç spitaleve dhe shkollave”-tha ai.
Presidenti i Serbisë ka folur edhe për dialogun mes dy vendeve, raporton “Reuters”. “Kemi dy opsione – të normalizojmë raportet duke arritur një marrëveshje ose të mbajmë konfliktin e ngrirë”, u ka thënë ai deputetëve. Vuçiç më tej ka thënë se do të duhet të kalojnë vite para se një marrëveshje me Kosovën të arrihet. Ai ka thënë se Serbia do të presë deri kur Prishtina të heqë taksën 100 për qind dhe më pas do të kërkojnë një kompromis. Çdo zgjidhje duhet të kalojë përmes referendumit.
“Ne do të pyesim njerëzit të thonë atë që mendojnë për një zgjidhje kompromisi të mundshëm në një referendum”, ka thënë ai.
Shumica e partive opozitare bojkotuan seancën, në shenjë proteste “ndaj sundimit autokratik të Vuçiçit”. Ata e akuzojnë Vuçiçin për mbytje të lirisë së medias dhe mbylljen e syve ndaj nivelit të lartë të korrupsionit. Vuçiç ka mohuar akuzat.
Gordana Çomiç, deputete e Partisë Demokratike në Serbi, ka thënë se Vuçiçi po përpiqej të tregonte një lloj marrëveshje me Kosovën që mund të bëhet shpejtë për të kënaqur Bashkimin Evropian. “Kjo është krijimi i atmosferës për njoftimin e ‘marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjore’ në pak muaj… përpara formimit të Komisionit të ri Evropian”, ka thënë ajo.