Alarm në Serbi, zhduket një sasi e madhe armatimesh nga depot
Një sasi e madhe armësh dhe municioni janë zhdukur në një nga depot e ushtrisë serbe. Nuk ka konfirmim nëse kjo ka lidhje me incidentet e mëparshme lidhur me atentatet në Podgoricë dhe në Beograd, por atmosfera në Serbi vazhdon të jetë e frikshme, pasi tensionet vazhdojnë. Pas grupit që planifikonte atentat ndaj kryeministrit të Malit të Zi, tensionet u shtuan edhe në Serbi, kur edhe u zbulua makina me armë pranë shtëpisë së Aleksandar Vuçiç. Armë dhe municion janë zhdukur nga një depo ushtarake në kryeqytetin serb, Beograd. Ministria e Mbrojtjes e Serbisë ka bërë të ditur se në numër nuk janë 70 pushkë gjysmë automatike, 5 pushkë automatike, 2 arka municion të kalibrit 7.62 dhe 9 mm. Ministria dhe Shtabi i Përgjithshëm kanë formuar një komision për të ndjekur hetimet. Frika ekziston pas një varg ngjarjesh që lidhen me armatim e kërcënime që pas zgjedhjeve në Podgoricë. Policia serbe gjeti armë në afërsi të shtëpisë së prindërve të kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiç, që u cilësua si atentat. Shtypi serb shkruan për ditë të tëra vetëm për këtë gjë. Vuçiç dhe vëllai i tij, Andrej, shihen si persona në rrezik. Vuçiç, ditë më parë tha se nuk brengoset: “Nuk dua të flas për këto gjëra, pasi populli nuk ka nevojë të jetë peng i shqetësimit për ne, pasi është detyra jonë që ne të shqetësohemi dhe kujdesemi për ta”. Policia pati ndaluar një person në Bosnje lidhur me armatimin e gjetur në afërsi të shtëpisë së kryeministrit Vuçiç. Hetimet ende nuk kanë treguar se si ka ardhur deri tek kjo, por Vuçiç dha dorëheqjen nga koordinimi i agjencive për siguri pasi edhe pjesëtarë të shërbimit serb thuhej se kishin dhënë informacione për agjencitë e huaja.