Roma është në alarm nga zjarret; flakë gjigante nisën të përhapen në afërsi të një kampi veror në kryeqytetin Italian, e u shtrinë duke përfshirë dhe disa depo industriale që përmbanin veç te tjerash bombola gazi.

Të paktën 50 shpërthime u dëgjuan në zonë, sipas medieve vendase. Duket si një buletin lufte, shkruajne ato. Tridhjetë e pesë persona janë intoksikuar nga tymi pranë Aurelias, e disa familje përfshirë dhe fëmijë, janë detyruar të evakuohen. “Nuk kishin fund shpërthimet, i degjoja edhe me dritare mbyllur. Ngjante si të ishte një apokalips. Më thanë të largohesha menjëherë nga shtëpia”, rrëfeu Ettore, një banor i zonës.

Një tjetër zjarr ka prekur dy ndërtesa në Casalotti. Era e fortë ushqeu flakët e nisura nga një tufë shkarpash në një kamp rom, duke bërë që të përhapeshin me shpejtësi. E nuk mbaroi me kaq. Zyrtari i rajonit të Lazios, Alessio D’Amato foli edhe për 7 vatra të tjera: “Është një ditë shumë e vështirë”, u shpreh ai.

Për shkak të zjarreve, ka pasur deri edhe devijim të disa fluturimeve që nga aeroporti i Ciampinos, u kaluan në Fiumicino, ndërsa u shënuan edhe një sërë vonesash.

Artikulli paraprakINSTAGRAM PLANIFIKON RISINË, KONTROLLI I MOSHËS SË ADOLESHENTËVE PËRMES SKANIMIT TË FYTYRËS
Artikulli tjetërKOMPANIA PHILIP MORRIS NGRE ALARMIN PËR TREGUN E ZI TË PRODUKTEVE TË DUHANIT