Konservatorët amerikanë vlerësuan Donald Trump-in në një mbledhje vjetore të premten, duke zbuluar madje një statujë të artë të ish-presidentit, për të treguar se ai mbetet një forcë politike republikane pavarësisht skenave të dhunshme në Uashington muajin e kaluar.
Konservatorë të njohur në Kongres, përfshirë Senatorët Tom Cotton dhe Josh Hawley dhe Ligjvënësit Steve Scalise dhe Matt Gaetz – ishin mes besnikëve të Presidentit Trump që flisnin në Konferencën e Veprimit Politik Konservator (CPAC) në Orlando, Florida, të cilës ish-Presidenti Trump do t’i drejtohet të dielën.
“Më lejoni t’ju them diçka: Donald Trump nuk do të shkojë askund”, tha senatori Ted Cruz.
Gjatë javëve të fundit të trazuara të ish-Presidentit Trump në detyrë, mbështetësit e tij kryen një sulm vdekjeprurës ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara në 6 janar, në përpjekje për të bllokuar çertifikimin në Kongres të fitores së demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale, një fitore që zoti Trump pretendoi në mënyrë të gabuar se ishte përshkuar nga manipulimi i gjerë.
Statuja e artë
Në rastin se do të kishte ndonjë dyshim se CPAC i këtij viti i ishte kushtuar zotit Trump, statuja e ish-presidentit, e veshur me një xhaketë blu, kravatë të kuqe dhe pantallona boksi ngjyrë të kuqe, të bardhë dhe blu, ishte shfaqur në vendin e konferencës.
Statuja tërhoqi menjëherë kritika në internet.
“Adhurimi i idhujve nuk është konservator. #RestoreOurGop”, tha në Twitter Përfaqësuesi Adam Kinzinger, një nga 10 ligjvënësit republikanë që votuan për fillimin e gjyqit ndaj ish-Presidentit Trump me akuzën e nxitjes së sulmit të 6 janarit.
Ligjvënësi Gaetz e deklaroi veten pjesë të krahut “pro-Trump, Amerika e Para” në lëvizjen konservatore. “Ne nuk jemi vërtet një krah, ne jemi i gjithë trupi”, tha ai.
Ai gjithashtu u duk se parashikoi një rol të ardhshëm për zotin Trump, i cili po mendon për një tjetër kandidim për president në vitin 2024, duke thënë: “Trump-i mund të mos e ketë tharë moçalin deri në fund – akoma”.
Ish-Presidenti Trump pritet të flasë të dielën për të ardhmen e partisë dhe të paraqesë ndryshime në politikat brenda një grupi të përçarë nga mosmarrëveshjet pas katër viteve të tij në detyrë.
“Ndasia tani është midis ‘elitave në kryeqytet’ dhe bazave konservatore përreth vendit”, tha një këshilltar i ish-Presidentit Trump që ndihmoi në përgatitjen e fjalimit.
Ish-Presidenti Trump gjithashtu do të ofrojë retorikë kritike ndaj Presidentit Biden.
Mbështetësit e ish-Presidentit Trump në konferencën e së premtes përsëritën disa nga pretendimet e tij të rreme, duke argumentuar se këto justifikonin kufizime të reja në votim.
Përveç 10 republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve që votuan për ta fajësuar Presidentin Trump, shtatë republikanë të Senatit votuan për ta dënuar atë për nxitje të rebelimit, megjithëse votimi 57-43 nuk arriti shumicën e dy të tretave të nevojshme për ta dënuar atë.
Disa këshilltarë thonë se ata duan që ish-Presidenti Trump të mos përdorë fjalimin e tij për t’u marrë sërish me zgjedhjet, por në vend të kësaj të ofrojë një perspektivë të qartë për republikanët që të rimarrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit në zgjedhjet e kongresit në vitin 2022.
Kandidaturë në vitin 2024?
Perspektiva e ish-Presidentit Trump, 74 vjeç, për të kandiduar për president përsëri në vitin 2024, e ndërlikon jetën për republikanët e tjerë që aspirojnë për president, përfshirë ish-Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo dhe ish-Nënpresidentin Mike Pence.
Ish-Nënpresidenti Pence, i cili ishte në Kapitol me familjen e tij kur protestuesit sulmuan duke thirrur “Vareni Mike Pence-in!”, nuk pritej të merrte pjesë në CPAC e këtij viti.
CPAC është një ngjarje e organizuar nga Unioni Konservator Amerikan, kryetari i së cilës, Matt Schlapp, është pranë ish-Presidentit Trump. Është një forum kryesor për folësit që duan të masin interesin nëse duhet të kandidojnë për president bazuar në entuziazmin që krijojnë.
Shumë republikanë mendojnë se ish-Presidenti Trump do të flirtojë me një tjetër shfaqje të shpejtë në fushën e kandidatëve për vitin 2024, por besojnë se ai në fund të fundit do të zgjedhë të mos kandidojë. Vetë ish-Presidenti Trump u ka rrëfyer privatisht këshilltarëve se ai do të donte të kandidonte.