Pas thuajse dy vitesh, do të rimblidhet sot në orën 11:00 Komisioni për Reformën Zgjedhore, i cili bashkëdrejtohet nga Damian Gjiknuri nga Partia Socialiste dhe Enkelejd Alibeaj nga Partia Demokratike.

OSBE/ODIHR ka theksuar gatishmërinë për të asistuar një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse.

Mesazhi u përcoll edhe nga kryesuesja e misionit të OSBE (17 janar) përmes një postimi në rrjetet sociale, pasi përmbylli ciklin e takimeve me bashkëkryetarët e reformës zgjedhore, Damian Gjiknurin e Enkelejd Alibeajn, edhe me Gazment Bardhin.

Bardhi, i cili kundërshton përfaqësimin e opozitës me Enkelejd Alibeajn në tryezën e reformës zgjedhore tha se ia bëri të qartë përfaqësuesve të OSBE, se rinisja e punës është farsë.

‘Për opozitën është një tallje e madhe me shqiptarët farsa e “rifillimit të punës” vetëm nga mazhoranca, pa respektuar vullnetin e opozitës, duke ripërsëritur gjërat që u bënë njëherë si farsë edhe 2 vite më parë.’- tha Bardhi.

Në ndryshimet për Reformën Zgjedhore, PD ka propozuar sistem proporcional kombëtar, lista tërësisht të hapura dhe votë elektronike të diasporës. Po ashtu PD kërkon ndryshim të sistemit në 1 zonë zgjedhore: sistem proporcional kombëtar.

Komisioni për reformën zgjedhore u miratua në shkurt të vitit 2022. Komisioni përbëhet nga 18 anëtarë, ku mazhoranca socialiste do të ketë 9 anëtarë, PD-ja 6 anëtarë dhe anëtarët e tjerë janë Fatmir Mediu, Shpëtim Idrizi dhe Petrit Vasili.

PS ka caktuar si bashkëkryetar Sekretarin e Përgjithshëm, Damian Gjiknuri, ndërsa opozita i është përgjigjur në këtë pozicion me kreu e grupit, Enkelejd Alibeaj. Lista e anëtarëve të këtij komisioni nga maxhoranca përbëhet nga Blerina Gjylameti, Klotilda Bushka, Toni Gogu, Ermonela Felaj, Arben Pëllumbi, Blendi Klosi dhe Klevis Xhoxhi.

Sa i përket Partisë Demokratike anëtarë janë zgjedhur Oerd Bylykbashi, Dashnor Sula, Kreshnik Çollaku, Lindita Metaliaj, Seladin Jakupllari, Ervin Salianji, Eralda Bano. Anëtarë në komision nga grupi i Partisë Demokratike, figuron edhe Grida Duma, por kjo e fundit nuk është më deputetet e Kuvendit të Shqipërisë që prej 8 nëntorit 2022.

Artikulli paraprakPO PËRJETONI NJË JAVË ME VENUSIN NË SHENJËN TUAJ… HOROSKOPI PËR SOT
Artikulli tjetërKAOSI NË KUVEND E SHERRI ME AÇKËN, PS KËRKON PËRJASHTIMIN E BARDHIT DHE NOKËS! MBLIDHET SOT SEKRETARIATI I ETIKËS