Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, i përgjigjet akuzave të kryetarit të PD, Sali Berisha, i cili tha më herët se deputeti demokrat është i kapur kokë e këmbë nga qeveria.

Në një postim në “Twitter”, Alibeaj thekson se asnjë deputet i grupit parlamentar të PD nuk është peng i kryeministrit Edi Rama dhe shpurës së tij.

Por, sipas Alibeajt, ata që janë në pazare të dukshme dhe të fshehta me Edi Ramën, janë sot të njëjtët që hedhin baltë mbi çdokënd që mendon ndryshe.

Reagimi i Alibeajt:

Asnjë formë e vjetëruar komunikimi nuk e fsheh dot dështimin në përballjen me të vërtetën dhe vullnetin e lirë të demokratëve. Pazaret e politikës së vjetër janë të vështira të çrrënjosen nga mendësitë e atyre që për 30 vjet mbajnë peng interesin e shqiptarëve. Nuk janë deputetët e grupit parlamentar të PD peng i Edi Ramës dhe shpurës së tij. Ata që janë në pazare të dukshme dhe të fshehta me të, ata që ndër vite kanë dëshmuar mungesë koherence në qendrimet ndaj qeverisë Rama dhe partnerëve të saj, janë sot të njëjtët që hedhin baltë mbi çdokënd që mendon ndryshe. Respekti për interesin e qytetarëve dhe jo për hallin personal është treguesi.

Artikulli paraprakJA SE SI ISHTE DASMA E MALËSISË SË MADHE
Artikulli tjetërSKANDALI ME PAGAT, PROKURORIA E TIRANËS MBYLL HETIMET, DËRGON DOSJEN NË GJYKATË, JA EMRAT E TË AKUZUARVE