Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, tha se amnistia e sotme që pritet të miratohet nga Parlamenti nuk është gjë tjetër vetëm se amnisti nga SPAK.
“Po miratohet një akt që shënon fundin e moralitetit politik. E di se në fundin e mandatit që gjithsecilin e vendos në sfidën e madhe nëse do të jetë më në Parlament, ndaj lënë gjithçka mënjanë se si të ruajnë karrigen e tyre. Tre produkte kanë ndodhur që kur keni arritur marrëveshjen e madhe. E treta është sot. Asnjëri këtu në këtë sallë kur bëhet fjalë për amnistinë, nuk i hapet barku për të burgosurit. I sakrifikuari i madh sot është drejtësia.
Me amnistinë që po bëni gati të votoni sot në heshtje. Sot, do jepet vota për t’i ulur dënimin 1 vit e gjysmë burrave , dy viteve grave që janë dënuar nga drejtësia e re. Ky është testi i parë i hidhur i kësaj marrëveshje. Duhet të bëni transparencë duke e kthyer në Komisionin e Ligjeve. Këto janë testet që po i merr ky Parlament në fund, nën frikën e humbjes së mandatit dhe sidomos nën frikën e SPAK. Nuk është gjë tjetër vetëm se amnisti nga SPAK-u. Shqiptarët duhet t’u ndëshkojnë nesër të gjithëve. Janë katër amendamente, tre prej të cilave godasin SPAK-un drejtpërdrejt”, theksoi ai.