Kjo është Agime Dushaj, bashkëshortja e dëshmorit në luftën e Kosovës Hasan Dushaj i cili la në Shkodër katër fëmijët e vegjël 20 vite më parë dhe shkoi për të luftuar përkrah vëllezërve kosovar por fatkeqësisht humbi jetën duke çmontuar minat e ushtrisë serbe të Millosheviçit. Dëshmori Dushaj përmes një video përpara se të vdiste për lirinë e Kosovës thotë këto fjalë.

Sot pas 20 vitesh bashkëshortja e tij është e lumtur që amaneti i Hasanit është kryer dhe Kosova është e lirë.

Por cila është historia e kësaj familje. Agime Dushaj 5 vite më parë, në 2016-ën kërkoi ndihmë në Star Plus pasi jetonte me shumë vështirësi në qytetin e Shkodrës duke mos patur një shtëpi për të futur kokën. Pas vdekjes së bashkëshortit, Agimja u detyrua që të shesë gjakun e trupit për të siguruar para për fëmijët dhe për lekët e qerasë derisa erdhi një moment që nuk mund të paguante më duke rrezikuar që të mbesë mes katër rrugëve.

Që nga ai moment atë që nuk e bëri qyteti i saj Shkodra e realizuan vëllezërit kosovar me të cilët Hasan Dushaj luftoi. Kjo është një shtëpi e re të cilën një sërë kontributorësh shqiptar të Kosovës e kanë ndërtuar për familjen e dëshmorit Hasan Dushaj në komunën Shtimë të Kosovës. Agimja tashmë do të ketë një banesë të re për të cilën falenderon të gjithë ata që dhuruan në ndërtimin dhe mobilimin e plotë të saj.

Për 20 vite që nga momenti kur bashkëshorti humbi jetën në luftën e Kosovës, Agimja thotë se ka jetuar me shumë vështirësi.

Shoqata Humanitare Diaspora ndihmoi familjen Dushaj që në fillim ndërsa mundësoi koordinimin e të gjithë dhuruesve të tjerë. Enver Rafuna është një ish komandant i UÇK që drejton shoqatën humanitare Diaspora duke ndihmuar familjet e dëshmorëve.

Kreu i shoqatës tregon se si është njohur me rastin e familjes Dushaj.

Afrim Murtezi është po ashtu një ish ushtar i UÇK i cili ka humbur vëllain në luftë ndërsa edhe ai vetë që 16 vjeç dhe pjestarët e familjes mbetën të plagosur. Afrimi vendosi që të dhurojë truallin ku u ndërtua shtëpia e re për familjen Dushaj.

Pjesë e rëndësishme e ndihmës për familjen Dushaj për ndërtimin e shtëpisë së re në komunën e Shtimës në Kosovë janë bërë edhe grupi i motorristave shqiptar në Zvicër “Shqiponjat e Zeza”.

Ish luftëtarët e UÇK-së tregojnë se shkodranin Hasan Dushaj e kanë njohur personalisht në ato ditë të vështira të luftës ndaj ushtrisë serbe.

Në fund kanë një mesazh për të gjithë ata që bëjnë një dallim me Shqipërisë dhe Kosovës duke thënë se nuk një ndarje dhe se Shqipëria e Kosova janë një komb i bashkuar.

Agime Dushaj dhe djali i saj 22 vjeçar tashmë kanë lënë Shkodrën dhe do të jetojnë në komunën Shtimë në Kosovë aty ku kryefamiljari Hasan Dushaj dha jetën për lirinë e Kosovës ashtu si shumë dëshmorë të tjerë.

Artikulli paraprakSHKODËR, “ARTI I KUZHINËS” HAP DYERT PËR KURSANTËT
Artikulli tjetërSHKODËR, ULET NUMRI I TË INFEKTUARVE ME COVID-19