Nëse në të ardhmen robotët do t’i ndeshim kudo, që prej këtij viti ata do të shfaqen në Seattle të SHBA. Kompania tregtare “Amazon” po teston robotë që automatikisht do të çojnë në adresat e klientëve porositë e kërkuara përmes internetit. Eksperimentimi i “Amazon” ka filluar në shtetin e Uashingtonit.
Robotët postjerë, tani në fazë ekperimentale, shoqërohen nga punonjës të “Amazon”, të cilët monitorojnë punën e tyre. Roboti quhet “Scout”, ka gjashtë rrota dhe lëviz në sajë të një sistemi navigimi që është në gjendje të kontrollojë trafikun, këmbësorët dhe pengesat në rrugë.
Porosia e klientit ndodhet brenda një kontenieri i cili hapet vetëm kur roboti mbërrin në adresën e shpërndarjes. Eksperimente të ngjashëm po zhvillohen në shumë qytete të botës, falë “Starship Technologies” që operon në SHBA dhe Europë,
apo dhe kinezes “ForwardX”, e cila realizoi valixhen robot që ecte pas të zotit në mënyrë automatike.
“Amazon” është kompania më e madhe e tregtisë përmes internetit në botë. E themeluar me emrin “Cadabra” nga Jeff Bezos (XHEF BEJZOS) më 5 korrik të vitit 1994,
kompania fillimisht filloi si një librari online, por shpejt zgjeroi gamën e produkteve të shitura, si DVD, CD, software, video games, produkte elektronike, veshje, mobilje, ushqime, lodra dhe shumë të tjera.