Tetë vendet e Amazonës ranë dakord për një listë të politikave dhe masave të unifikuara mjedisore për të forcuar bashkëpunimin rajonal në një samit të madh të pyjeve tropikale në Brazil të martën 8 gusht, por nuk arritën të bien dakord për një qëllim të përbashkët për t’i dhënë fund shpyllëzimit.

Bolivia dhe Venezuela janë të vetmet vende të Amazonës që nuk nënshkruan një marrëveshje të vitit 2021 midis më shumë se 100 vendeve për të punuar drejt ndalimit të shpyllëzimit deri në vitin 2030, raporton Reuters.

Ministri i Jashtëm i Brazilit Mauro Vieira tha në një konferencë për shtyp se çështja e shpyllëzimit “në asnjë mënyrë nuk do ta ndajë rajonin” duke përmenduar se duhet të ketë një mirëkuptim për shpyllëzimin.

Samiti i kësaj jave mblodhi së bashku Organizatën e Traktatit të Bashkëpunimit në Amazon (ACTO) për herë të parë në 14 vite, me plane për të arritur një marrëveshje të gjerë mbi çështjet nga luftimi i shpyllëzimit deri te financimi i zhvillimit të qëndrueshëm. Por tensionet u shfaqën përpara samitit rreth pozicioneve të ndryshme mbi shpyllëzimin dhe zhvillimin e naftës.

Vendet e tjera të Amazonës kundërshtuan gjithashtu fushatën e vazhdueshme të presidentit të majtë të Kolumbisë, Gustavo Petro, për t’i dhënë fund zhvillimit të ri të naftës në Amazon. Ai tha se ideja për të bërë një “tranzicion gradual të energjisë” larg karburanteve fosile ishte një mënyrë për të vonuar punën e nevojshme për të ndaluar ndryshimin e klimës.

Presidenti brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva, i cili ka vënë në rrezik reputacionin e tij ndërkombëtar në përmirësimin e pozitës mjedisore të Brazilit, kishte shtyrë që rajoni të bashkohej pas një politike të përbashkët për t’i dhënë fund shpyllëzimit deri në vitin 2030. Deklarata e përbashkët e lëshuar të martën në qytetin brazilian të Belem krijoi një aleancë për të luftuar shkatërrimin e pyjeve.

Dështimi i tetë vendeve të Amazonës për të rënë dakord për një pakt për të mbrojtur pyjet e tyre tregon për vështirësitë më të mëdha dhe globale të krijimit të një marrëveshjeje për të luftuar ndryshimet klimatike. Shumë shkencëtarë thonë se politikëbërësit po veprojnë shumë ngadalë për të shmangur ngrohjen katastrofike globale.

Lula dhe liderë të tjerë kombëtarë u larguan nga takimi i së martës pa komentuar deklaratën. Presidentët nga Bolivia, Brazili, Kolumbia dhe Peruja morën pjesë në samit, ndërsa Ekuador, Guajana, Surinami dhe Venezuela dërguan zyrtarë të tjerë të lartë.

Silveira tha se ata duhet të kryejnë kërkime se çfarë nafte ka atje në mënyrë që të marrin një vendim për këtë çështje. Përtej shpyllëzimit, samiti nuk caktoi gjithashtu një afat për t’i dhënë fund minierave të paligjshme të arit, megjithëse udhëheqësit ranë dakord të bashkëpunojnë për këtë çështje.

Deklarata e përbashkët përfundimtare, e quajtur Deklarata e Belemit, pohoi me forcë të drejtat dhe mbrojtjen e vendasve, duke rënë dakord gjithashtu për të bashkëpunuar për menaxhimin e ujit, shëndetin, pozicionet e përbashkëta negociuese në samitet e klimës dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Sipas raportimeve, deklarata krijoi gjithashtu një organ shkencor për t’u takuar çdo vit dhe për të prodhuar raporte autoritative mbi shkencën në lidhje me pyjet tropikale të Amazonës, të ngjashme me Panelin Ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike.

Artikulli paraprakTRAFIKU I RËNDUAR NË AKSIN SHKODËR – TIRANË, RAMA: DO TA VUAJMË EDHE PAK MUNGESËN E ‘KORRIDORIT BLU’! SHQIPËRIA TURISTIKE BREGDETARE DO JETË KRENARIA JONË
Artikulli tjetërRESTORANTI LUNDRUES NË NORVEGJI BËHET VIRAL NË TIKTOK, MUND TË SHIJONI USHQIMIN EDHE NËN UJË