Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka publikuar një video ku tregon se si struktura e Posaçme Anti-Korrupsion dhe Anti-Krim i Organizuar që njihet edhe si SPAK nuk do të kursejë asnjë prej zyrtarëve të lartë kushdo qoftë. Në vazhdën e publikimit të disa videove kësaj radhe ambasada e SHBA me një postim në faqen e saj në rrjetin social “facebook” shprehet se strukturat e SPAK nëse është e nevosjhme do të përfshijë në hetime të thella edhe zyrtarët më të lartë të shtetit apo edhe ish-zyrtarët.
Sipas ambasadës SPAK do të jetë një institucion me pavarësi të plotë dhe pa asnjë lloj ndikimi politik siç mund të ketë ndodhur deri më tani në Shqipëri. Nga ana tjetër ambasada e SHBA në Shqipëri bën të ditur se prokurorët e posaçëm do t’i nënshtrohen monitorimeve
të njëpasnjëshme sa i përket financave apo edhe telefonatave dhe çdo lloj lidhje tjetër të mundshme për të mos lejuar korruptimin apo edhe kërcënimin ndaj tyre. Ja se çfarë shkruan në postimin e saj ambasada amerikane në Tiranë teksa shtron disa pyetjeve dhe jep edhe përgjigjet përkatëse:
Po pse nevojitet SPAK?
Në sistemin e vjetër gjyqësor, zyrtarët e nivelit të lartë të korruptuar dhe bosët e krimit të organizuar ishin të “paprekshëm” sepse gjyqtarët dhe prokuroret e korruptuar ose të kërcënuar nuk i nxirrnin përpara drejtësisë. Çmimin e paguante gjithë vendi.
Po si e korrigjon këtë problem SPAKU-u?
Do të jetë një organ i pavarur, jo i politizuar, i cili do të hetojë dhe ndjekë penalisht “të paprekshmit” e Shqipërisë. Këtu përfshihen zyrtarë të tanishëm dhe ish zyrtarë të lartë. Anëtarët e SPAK do duhet të kalojnë vetingun dhe zgjidhen nga KLP, jo nga politikanë apo zyrtarë të korruptuar. Prokurorët e posacëm do ti nënshtrohen monitorimit të vazhdueshëm të financave dhe telefonave të tyre për të parandaluar korruptimin apo kanosjen e tyre.
“Në videon e kaluar, mësuat mbi Gjykatën Kushtetuese. Këtë javë, do të flasim për Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion dhe Anti-Krim i Organizuar, ose shkurt SPAK. Pse nevojitet SPAK dhe si do t’i ndjekë penalisht ky institucion rastet e korrupsionit në nivelet më të larta?
Mësoni se si SPAK do të jetë një organ i pavarur, jo i politizuar, i cili do të hetojë dhe ndjekë penalisht “të paprekshmit” e Shqipërisë, duke përfshirë zyrtarë të tanishëm dhe ish-zyrtarë të lartë. #Çfarë Është Reforma Në Drejtësi #Ndal Korrupsionit”-thuhet në përshkrimin që shoqëron videon.