Kur kanë mbetur vetëm 24 orë nga protesta e thirrur nga opozita para kryeministrisë, Ambasada Amerikane bën thirrje për mos nxitje të dhunës dhe shkatërrim të pronës publike.
Jo vetëm kaq i jep një shuplakë të fortë opozitës kur thotë se qeveria dhe parlamenti aktual i Shqipërisë janë legjitime dhe të njohura ndërkombëtarisht dhe nxisin aktorët të ushtrojnë vetëpërmbajtje në protestën e 16 marsit.
“Pavarësisht se protesta paqësore është një shtyllë themelore e demokracisë, nxitja apo kryerja e veprimeve të dhunshme, përfshirë edhe shkatërrimin e pronës publike, janë të paligjshme.
Ne i nxisim të gjithë aktorët e demokracisë shqiptare që të ushtrojnë vetëpërmbajtje në protestën e 16 marsit.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara i konsideron Qeverinë dhe Parlamentin aktual të Shqipërisë të zgjedhura në mënyrë legjitime nëpërmjet zgjedhjeve të vitit 2017, të njohura ndërkombëtarisht.”
Madje ambasada amerikane i kërkon deputetëve që vendosën të braktisin mandatin të lejojnë ata që duan të punojnë për të ardhmen e vendit të bëjnë punën e tyre.
“Ne vlerësojmë punën e mirë që është bërë në zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri, si dhe përparimin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ka ende punë për të bërë.
Ndërkohë që, ata ish anëtarë të Parlamentit të cilët vendosën të braktisin mandatet, hoqën dorë nga detyrimet e tyre ndaj qytetarëve shqiptarë, duhet të lejojnë ata që duan të punojnë për të ardhmen e vendit të bëjnë punën e tyre.
Ne mbështesim të gjithë ata që vazhdojnë të jenë të përfshirë në procesin demokratik në Parlament, në mënyrë që Shqipëria të vazhdojë të ecë përpara, drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.”
BE kërkon zgjidhje urgjente të situatës
Ndërsa Bashkimi Evropian kërkon me urgjencë zgjidhjen e kësaj situate politike, duke krijuar një platformë kombëtare për dialog.
“Tani është shumë urgjente që të kapërcehet situata politike aktuale duke krijuar një platformë kombëtare për dialog ndërmjet të gjitha palëve të interesuara, edhe duke pasur parasysh zgjedhjet e ardhshme lokale të qershorit.
Shqipëria ka nevojë për një dialog ndërpartiak për reformat më urgjente, duke përfshirë reformimin e kuadrit ligjor zgjedhor në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODIHR-it”.
BE konsideron si të drejtë themelore protestat qytetarë, por ato nuk duhet të jenë të dhunshme.
“Kjo e drejtë është një shtyllë qendrore në çdo shoqëri demokratike, por duhet ushtruar në mënyrë paqësore, pa përdorur dhunën. Asnjë formë e nxitjes së dhunës nuk është e tolerueshme.
Ne u bëjmë thirrje edhe një herë të gjithë liderëve të partive që të tregojnë përgjegjësi për të shmangur çdo përshkallëzim gjatë protestave”.
Dorëzimin e mandateve nga opozita, BE e konsideron si pengesë për funksionimin e demokracisë duke nikuar në integrimin e vendit.
“Ashtu siç kemi deklaruar edhe më parë, konsiderojmë se vendimi për heqjen dorë nga mandatet parlamentare pengon seriozisht funksionimin e demokracisë në Shqipëri dhe ndikon në integrimin e vendit në BE – një perspektivë që e duan plotësisht 93% e qytetarëve shqiptarë.
Ne vazhdojmë të mbështesim ata që janë të angazhuar në procesin demokratik në Parlament, gjithashtu në mbrojtjen e interesave të popullsisë shqiptare që dëshiron të vazhdojë të ecë drejt BE-së.
Që prej qershorit të kaluar është bërë progres, veçanërisht në reformën në drejtësi, si dhe në luftën kundër krimit të organizuar, por ka ende shumë punë për të bërë në tre muajt e ardhshëm”.