Ambasadorët e vende të QUIN-it u takuan të mërkurën pasdite me krerët e shtetit të Kosovës, presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca, njoftoi Presidenca. Në një njoftim të shkurtër në Facebook, Presidenca tha se temë e takimit ishte synimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, pa dhënë hollësi të tjera. Kosova synon të anëtarësohet në Këshillin e Evropës në muajt në vijim, pasi javën e kaluar, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i kësaj organizate e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandoi se ajo ika plotësuar kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës. Asambleja Parlamentare pritet të votojë për anëtarësimin e Kosovës në prill, dhe nëse ajo jep dritën jeshile, atëherë fjalën përfundimtare duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës në maj.
Serbia votoi kundër raportit të Bakoyannis dhe synon ta vazhdojë kundërshtimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, megjithëse asaj i kërkohet të mos e kundërshtojë anëtarësimin e vendit fqinj në asnjë organizatë ndërkombëtare në përputhje me Marrëveshjen Bazë që palët e arritën në dialogut e ndërmjetuar nga BE-ja në shkurt të vitit 2023. BE-ja thotë se Marrëveshja Bazë është ligjërisht e detyruese për Kosovën dhe Serbinë. Ditë më parë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se reagimi i Serbisë duhet të jetë “i fortë, serioz dhe i përgjegjshëm” ndaj anëtarësimit të mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Anëtarësimi i Prishtinës është riaktualizuar në javët e fundit, pasi, me kërkesën e Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim. Në mars, Shtetet e QUINT-it e mirëpritën vendimin e Qeverisë së Kosovës që Agjencia Kadastrale ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për pronën e Manastirit të Deçanit. Në QUINT bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Italia.