Ambasadori i Austrisë në Shqipëri Christian Steiner deklaroi nga Shkodra se Shqipëria pas hapjes së negociatave me Bashkimin Europian duhet që të përmbushë të gjitha reformat në 35 kapitujt si e vetmja rrugë për antarësimin në BE. Ambasadori Steiner këtë deklaratë e bëri gjatë aktiviteteve në Shkodër në kuadër të javës kulturore të Austrisë në një takim me të rinjtë e mbështetur në hapjen e bizneseve të reja nga ana e tyre.
Kryetari i bashkisë Shkodër Bardh Spahia i cili mirëpriti ambasadorin e Austrisë deklaroi se këto projekte si Your Job që Austria mbështet janë një nxitje për të ndikuar sado pak në minimizimin e emigracionit të të rinjve.
Pas takimit me kryebashkiakun Spahia dhe të rinjtë e mbështetur përmes programit “Your Job”, ambasadori i Austrisë zhvilloi edhe një takim me student të universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Për dy ditë me radhë ambasada austriake zhvillon një sërë aktivitetesh në Shkodër për javë kulturore të Austrisë.