Ambasadori francez në Tiranë letër Tahirit: Ndalni mafien e OJF-ve që ndihmojnë trafikun e emigrantëve

Pas shtrëngimit të masave për azilkërkuesit në vende të preferuara nga Shqiptarët si Gjermania dhe Holanda, duket se muajt e fundit fluksi është orientuar drejt Francës. Ky vend së fundmi ka zyrtarizuar shqetësimin e vet për azilkërkuesit shqiptarë, të cilët kanë dalë të parët në listë pas sirianëve dhe sauditëve. Së fundmi ishte Gazeta “Le Monde”, që nëpërmjet një shkrimi kryesor ka ngritur shqetësimin për valën e madhe të emigrantëve të paligjshëm që kërkojnë azil në Francë. Gazeta madje shkruan se në një kohë rekord, 5 700 shqiptarë kanë paraqitur kërkesë zyrtare për azil në këtë vend. Fluksi i tyre është trefishuar në tre muajt e fundit, duke sinjalizuar një prirje shqetësuese për vitin që vjen. Por ajo që është interesante në këtë artikull është zbulimi i faktit, që lajmi i gazetës është ndërtuar nga një letër që ambasadori francez në Tiranë, Bernard Fitoussi i ka dërguar Ministrisë së Brendshme shqiptare dhe posaçërisht kreut të saj, Saimir Tahiri. Fitoussi flet për një treg informal të OJF-ve, që lëshojnë vërtetime për situata dhe raste të shumta gjakmarrjeje në Shqipëri. Janë këto vërtetime të lëshuara kundrejt pagesave të majme, që më pas legjitimojnë kërkesat për azil në Francë dhe jo vetëm. Ministria e Brendshme e ka mbajtur të fshehtë deri më tani këtë fakt dhe akoma më keq, ende nuk është njoftuar për ndonjë hetim mbi këto OJF të përfshira në trafikun e emigrantëve, jo vetëm drejt Francës, por edhe gjithë vendeve të tjera të preferuara nga emigrantët në Europë.

Artikulli paraprakABUZOI ME MOTRËN, GJYKATA E DËNON ME TRE VITE BURG
Artikulli tjetërTERRORIZMI, KRYEMINISTRI FRANCEZ: LUFTA ËSHTË E GJATË