Johan Ndisi: Nxis investimet suedeze në Shqipëri,mbështetje për integrimin. Suedia ka vendosur të intensifikojë marrëdhëniet e saj diplomatike dhe ekonomike me Shqipërinë, duke premtuar edhe rritjen e investimeve suedeze në vendin tonë.
Është ky premtimi që ka bërë ambasadori i parë resident i Suedisë në Shqipëri, Johan Ndisin i cili ka qenë i ngarkuar me punë në Ambasaden e Suedisë që prej vitit të kaluar. Ambasadori i ri i cili i prezantoi këtë të hënë kredencialet presidentit të Republikës Bujar Nishani tha se gjatë mandatit të tij do të punojë fort për të rritur marrëdheniet tregtare mes dy vendeve. “Suedia është mbështetëse e zgjerimit të BE-së dhe procesit të integrimit të Shqipërisë. Bashkëpunimi ynë që arrin në 8 milion euro në vit është fokusuar pikërisht tek mbështetja ndaj Shqipërisë në këtë drejtim. Ne e konsiderojmë integrimin në BE si një proces që ndihmon një vend të transformohet sai përket zhvillimit demokratik dhe ekonomik. Gjatë mandatit tim do të punoj fort për të rritur investimet suedeze në Shqipëri dhe mendoj që komuniteti i biznesit suedez sheh mundësi këtu në Shqipëri por mendoj se realizimi i këtyre investimeve varet shumë nga zhvillimet politike dhe ekonomike, si dhe nga procesi i integrimit. Jam i lumtur që ish kryeministri suedez dhe përfaqësues të biznesit në Suedi janë angazhuar në Shqipëri dhe kanë krijuar Këshillin e Investimeve dhe Zhvillimit që drejtohet nga kryeministri Rama dhe ish kryeministri suedez Göran Person. Shpresoj që ky të jetë një mjet për të sjellë më shumë investime këtu sepse sa më shumë marrëdhënie tregtare që të kemi aq më mirë është. Mendoj se emërimi i një ambasadori rezident është shenjë e afrimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Veç vizitave të ndërsjella që janë intensfikuar vitet e fundit, shoh edhe një marrëdhënie më të ngushtë sa i përket njerëzve. rreth 5 mijë turistë kanë vizituar Shqipërinë gjatë kësaj vere. Kjo e lidhur dhe me Suedinë si një partner në integrimin në BE dhe një prej kontribuesve kryesorë ekonomikë në këtë process arsyeton dhe emërimin tim”, u shpreh ai. Suedia është vendi parë në botë që ka një qeveri dhe politikë të jashtme feminist dhe Ndisi theksoi pikërisht se kjo frymë do ndikojë edhe punën e tij si ambasador në vendin tonë. “Si ambasador i Suedisë do të theksoj çështjet e barazisë gjinore dhe të drejtat e vajzave dhe grave. Në fakt asistenca jonë që mbështet qeverisjen e mire, demokracinë dhe të drejtat e njeriut është shumë e fokusuar në këtë drejtim. Do të theksoj pikërisht çështjen e përfaqësimit të grave e cila është e rëndësishme ndërsa i afrohemi zgjedhjeve por edhe çështjen e burimeve që është shumë e rëndësishme sepse çdo vend duhet të shohë potencialin e tij të plotë dhe të garantojë që gratë të kenë mundësi të punojnë”, u shpreh ai. Johan Ndisi është një diplomat karriere i cili ka punuar në Ministrinë e Jashtme të Suedisë, ka shërbyer në Përfaqësinë e Përhershme të Suedisë në Bashkimin Europian si dhe ka mbajtur disa poste të tjera të rëndësishme diplomatike.