Ambasadorja gjermane Susanne Schutz deklaron se qëndrimi i PD-së për të mos marrë pjesë në procesin zgjedhor është një vendim i trishtuar por Gjermania do të njohë këto zgjedhje. Ambasadorja ishte në ministrinë e Energjisë për të firmosur një marrëveshje dhe u pyet nga gazetarët.
Pyetje: Zonja ambasadore, afatet po mbarojnë dhe opozita duket se nuk po hyn në zgjedhje. Cili është vlerësimi juaj për situatën politike?
Susanne Schutz: “Sikurse u konstatua dhe u shpreh ministri i jashtëm federal z.Gabriel para rreth dy javësh, ne shpresojmë shumë që procesi zgjedhor të mund të zhvillohet në periudhën apo në momentin kohor të dekretuar nga Presidenti i Republikës. Shpresojmë që në këtë proces zgjedhor të mund të marrin pjesë sa më shumë parti politike që të jetë e mundur. Nëse Partia Demokratike dhe partitë e tjera opozitare vazhdojnë të mbeten në qëndrimin e tyre për të mos marrë pjesë në procesin zgjedhor ky është një vendim i trishtuar për ne, por ne do ti njohim këto zgjedhje”