Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë sot Ditën e Pavarësisë. 4 Korriku shënon 243 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Deklarata e Pavarësisë është një dokument ku 13 kolonitë e Mbretërisë së Bashkuar nga Amerika e Veriut shpallën pavarësinë nga Mbretëria e Bashkuar.

Dokumenti i Pavarësisë u ratifikua më 4 Korrik 1776. Kushtetuta amerikane, e nënshkruar në vitin 1787 përshkruan më pas bazën dhe strukturën e qeverisë të Shteteve të Bashkuara, e cila është e ndarë në tri degë, në ato ekzekutive, legjislative dhe juridike, pra Presidenti, Kongresi dhe Gjykata e Lartë.

Dita e Pavarësisë në SHBA festohet me parada madhështore, festime familjare dhe mbyllet me hedhjen e fishekzjarrëve. Si çdo vit edhe në Shqipëri, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës feston 4 Korrikun me pritje ku në disa raste ka bërë bashkë të gjithë politikanët. Ndërkohë që nuk mungojnë urimet për SHBA-në nga politikanët, që ditën e sotme kanë filluar me statusin e Presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Rama.

Rama: Zoti e bekoftë Amerikën, miqtë e aleatët më të mëdhenj

Edhe kryeministri Edi Rama ka uruar festën e SHBA-së. “Mirëmëngjes dhe në këtë ditëlindje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, miqve e aleatëve më të mëdhenj të Shqipërisë dhe shqiptarëve, ju priftë e mbara të gjithëve” shkruan Rama, që edhe ai feston sot ditëlindjen e 55-të.

Meta: Vendi në krizë pa rrugëdalje, shqiptarët e Amerikës bëjnë thirrje për reflektim

Dita e sotme, 4 Korriku shënon 243-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 1776. Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka uruar festën për partnerin strategjik, ndërsa thotë se shqiptarët e Amerikës nuk ndihen të lumtur me krizën pa rrugëdalje ku ndodhet vendi ynë.

“Mirëmëngjes të gjithëve dhe Gëzuar Festën e SHBA! Një rast i mirë sot në veçanti për të uruar të gjithë komunitetin e mrekullueshëm shqiptar që jeton në SHBA dhe që kontriubon fuqishëm për të përforcuar lidhjet dhe marrëdhëniet tona në të gjitha fushat, në mënyrë që raportet shqiptaro-amerikane t’i shërbejnë jo vetëm interesave reciproke strategjike, por edhe rritjes së kredencialeve demokratike të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s, që në zemrën e saj ka demokracinë, por edhe si një vend i denjë për të çelur negociatat për anëtarësim me BE në 18 tetor 2019.

Shqiptarët e Amerikës sot nuk ndihen të lumtur me krizën pa rrugëdalje ku ndodhet vendi ynë. Ndaj bëjnë thirrje për reflekim dhe përgjegjshmëri. Ju ftoj të lexoni me vëmendje këtë artikull të shkruar nga një prej personaliteteve të komunitetit tonë në SHBA, z.Frank Shkreli, ish-drejtor i Zërit të Amerikës” shkruan Meta, ndërsa ka risjellë një shkrim Frank Shkrelit, ish-Drejtor i VOA-s për Euroazinë për zgjedhjet e 30-qershorit, që i cilëson poshtërsi për qeverinë shqiptare, dështim për opozitën, turp për ndërkombëtarët dhe një fatkeqësi për kombin shqiptar!

Artikulli paraprakKUVENDI DISKUTON SOT DEKRETIN E METËS PËR LIGJIN E PËRMBARUESVE PRIVATË
Artikulli tjetërSHBA FESTON SOT 243-VJETORIN E PAVARËSISË ME PARADË USHTARAKE DHE SPEKTAKËL FISHEKZJARRESH