Amerika Qendrore, tërmet me magnitudë 7 në brigjet e Paqësorit
Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7 ka goditur brigjet e Paqësorit në Amerikën Qendrore gjatë kësaj të enjteje, ndërkohë që mund të shkaktojë edhe valë të rrezikshme cunami. Lajmi bëhet i ditur nga agjencitë amerikane, monitoruese të lëkundjeve sizmike, vetëm pak pasi tërmeti u ndie në brigjet e Karaibeve, më konkretisht në Nikaragua dhe Kosta Rika. Shërbimet e emergjencës në El Salvador njoftuan përmes “Twitter”-it se nuk ka raportime paraprake mbi shkatërrime apo viktima në nivel kombëtar. Tërmeti me magnitudë 7, i cili fillimisht u raportua në kuotën 7.2, ka rënë në thellësinë 10.3 kilometra nën shtratin e detit, gjë që pritet ta përforcojë efektin e saj, ndërsa epiqendra është regjistruar 149 km në jug-jugperëndim të Puerto Triunfo të El Salvadorit, sipas “USGS”. Presidenti i Nikaraguas, Daniel Ortega deklaroi menjëherë gjendjen e emergjencës për shkak të tërmetit dhe stuhisë “Otto”, e cila goditi juglindjen e vendit vetëm pak orë më parë të kësaj të enjteje. Qendra e Paralajmërimit të Cunameve në Paqësor paralajmëroi se “valë të rrezikshme cunami janë të mundshme për brigjet që ndodhen 300 km përreth epiqendrës së tërmetit”. Qeveria e El Salvadorit njoftoi se ka pasur gjithashtu edhe paralajmërime për kërcënime nga cunami. Në orët e para të ditës, një stuhi e kategorisë së dytë preku tokën në bregun juglindor të Nikaraguas, aty ku mijëra njerëz janë evakuuar nga zonat më të rrezikuara, duke u strehuar nëpër vende më të sigurta.