AMF përçan koalicionin, LSI voton kundër shkarkimit të kryetares Shehi

 

Me 55 vota pro dhe 20 kundër, në një votim të fshehtë, Parlamenti shkarkoi kreun e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Enkeleda Shehi. Në këtë votim u vu re përçarja e votave të koalicionit PS-LSI me këta të fundit që votuan kundër këtij vendimi. LSI pretendon se votimi ishte i paorientuar edhe pse argumentat kundër i kanë dhënë në Komisionin e Ekonomisë, ku përfaqësuesit e saj votuan kundër, ndërsa socialistët mjaftohen me zbatimin e rregullores. Votimi për shkarkimin e kreut të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Enkeleda Shehi, përçau maxhorancën PS-LSI. Propozimi që erdhi nga Komisioni i Ekonomisë të enjten e kaluar, nuk mori më shumë se 55 vota pro, ndërsa 20 vota ishin kundër shkakrimit të zonjës Shehi. Votimi ishte i fshehtë, por LSI votoi kundër shkarkimit të saj edhe në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë. Për deputetin e LSI-së, Spartak Braho, votimi ishte i paorientuar, duke mohuar votën kundër në bllok të LSI. Ndërsa deputeti tjetër i LSI, Përparim Spahiu, la të kuptohej se sqarimet për votën kundër i kishte dhënë deputeti Gjovalin Kadeli në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë. Braho: Ka qenë një votim i paorientuar fare, LSI nuk besoj se ka votuar kundër. Spahiu: Disa sqarime i dha Kadeli në Komisionin e Ekonomisë. I pyetur nga mediat, kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, shmangu përgjigjen për votën e LSI, duke thënë se për sa kohë vendimi është brenda rregullores, çdo gjë është në rregull. Braçe: Për mua mjafton që të zbatohet rregullorja e Kuvendit. Përsa kohë kjo vendimarrje është në përputhje me ligjin dhe në përputhje me rregulloren e Kuvendit nuk më intereson asnjë gjë tjetër. E dyta, unë besoj që tani institucioni do të kthehet në funksionalitet të plotë për ti shërbyer interesit publik dhe qytetarëve. Ky votim sjell edhe njëherë në vëmendje mungesën e opozitës në Parlament, e cila nëse do të kishte dhënë votat e saj kundër, shkarkimi nuk do të ndodhte.

Artikulli paraprakKANABISI, POLICËT DO MBAJNË PËRGJEGJËSI DHE PËR TË AFËRMIT
Artikulli tjetërSAMITI I SARAJEVËS MBYLLET ME DEKLARATË TË PËRBASHKËT