Amnistia e fundivitit për 3 mijë të burgosurit në Shqipëri për gjyqtarin e apelit në Shkodër Aleks Nikolli është një politikë e gabuar.

Përmes një reagimi në faqen e tij në facebook gjyqtari Nikolli thotë se amnistia është një akt për të shfryrë mbipopullimin e burgjeve. “Kam ndjekur me vëmendje debatet rreth ligjit të ri për amnistinë, por këndvështrimi im megjithëse mund të kualifikohet tek ai i kritikëve, ai është është në kah të kundërt me shumicën prej tyre (ose së paku, të atyre të artikuluar publikisht). Megjithëse në mënyrë të kuptueshme shumëkush po i gëzohet miratimit të ligjit për amnistinë penale, në vlerësimin tim ai është shprehja më qartë e ndjekjes së një politike penale të gabuar dhe për rrjedhojë argumentet kritike të shfaqura deri tani më duken si një përpjekje për të perfeksionuar në maksimum një qasje të gabuar. Ligjet e përvitshme amnistuese mbartin një mungesë të theksuar koherence dhe arsyetueshmërie, duke i kthyer ato thjesht në akte të parashikueshme emergjente ligjore për të shfryrë përkohësisht mbipopullimin e burgjeve dhe për të krijuar hapësirat e nevojshme për ekspedita të reja ndëshkueshmërie!” Për gjyqtarin Nikolli, si ekspert në fushën e drejtësisë dënimi me gjobë nuk ekzekutohet për shkak të amnistisë ndërsa ndër ata që përfitojnë mund të jenë edhe ata që kanë bërë vepra penale monstruoze. “Për të ilustruar mungesën e ratione-s së kësaj qasjeje mund të sjell në vemendje nga njëra anë se prej disa vitesh dënimi me gjobë është kthyer vetëm në një statistikë për të rritur ngarkesën në punë të organeve të drejtësisë, pasi nuk ekzekutohet për shkak të faljes së tyre të përvitshme dhe nga ana tjetër vit pas viti këto amnisti u kanë falur 5 vite burgim çdo lloj të dënuari, pavarësisht se sa monstruoze apo e papranueshme ka qenë vepra e tij! Të bërtasësh e të çirresh gjithë vitin për dorë të hekurt dhe dënime frikësuese shembullore, duke patur si refren të vetëm “burgimin” nuk mund të vetëamnistojë nga kjo qasje e gabuar, duke miratuar ligje amnistuese për grupe të gjera të dënuarish! Megjithëse, tashmë fëmijët nuk e besojnë më përrallën e babagjyshit të vitit të ri, për vërtetësinë e ardhjes së tij në çdo fundvit të betohen të dënuarit”. 

Artikulli paraprakADEMI: QEVERIA S’PO NA PYET PËR PRONAT
Artikulli tjetërSHKODËR, INAGUROHET QENDRA KOMUNITARE PËR FAMILJEN