Amnistia Penale duket se ka mbetur sërish peng i 84 votave që duhen për ta miratuar në Kuvend. Në seancën e sotme plenare është futur në rendin e ditës edhe amnistia penale, por teksa dukej se palët po arrinin një konsensus për ta miratuar, PD deklaroi dje votën kundër.
As Rithemelimi nuk do të votojë pro, ndërsa do të vijojnë me skenarin për bllokimin e seancës. Nga ana tjetër, Basha deklaroi një ditë më parë se nuk do të marrin pjesë në seancë.
Një amendament i deputetit socialist, Plarent Ndreca, relator i projektligjit, bëri që kryedemokrati Lulzim Basha të akuzojë PS-në se po tenton të shpëtojë zyrtarët e korruptuar.
Po PS thotë se bëhet fjalë për ulje të dënimit me 1 vit për burrat dhe 1 vit e gjysmë për gratë e të miturit edhe për ata që janë dënuar nga GJKKO, që më parë përjashtohen nga përfituesit. Gjithsesi, ministri Manja nuk e mbylli derën e diskutimeve, duke thënë se janë të hapur që të gjejnë një konsensus.
Ndërkohë, edhe një propozim i PD i ka ndarë palët. Enkelejd Alibeaj ka propozuar faljen e protestuesve të opozitës nga data 1 tetor 2018 deri më 31 dhjetor 2020. Socialistët pranuan pjesërisht propozimet e Alibeajt për të amnistuar protestuesit por jo ata që kanë akuzën e shkatërrimit të pronës dhe kundërshtimit të policisë së shtetit.
Me shumë gjasa, amnistia penale nuk do të miratohet as sot, duke bërë që të shtyhet për një seancë tjetër, deri në gjetjen e një konsensusi të përbashkët mes palëve.