Amnistia për makinat, falen taksat e papaguara deri në 2016. Falen tërësisht detyrimet e gjobat e vjetra.
Falen tërësisht detyrimet e gjobat e vjetra Ligji i ri për amnistinë fiskale i përgatitur nga Ministria e Financave parashikon faljen e plotë të taksave dhe të gjobave për makinat që prej vitit 2011. Drejtori i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave Niko Lera, shpjegon se do përfitojnë falje të plotë qytetarët që do të çregjistrojnë makinat. Ndërkohë që kush dëshiron ta mbajë, do të jetë i detyruar të paguajë taksat e prapambetura, por pa gjobat dhe penalitetet. “Ideja është që nga viti 2011 edhe më parë të falen taksat e papaguara apo penalizimet dhe përdoruesve të mjeteve iu është lënë një alternativë, nëse duan, taksat nga 2011 e më parë do t’u falen edhe nëse nuk kanë paguar nga 2012 e këtej dhe mjeti do të ç’regjistrohet. Ka edhe një opsion tjetër që nëse dëshirojnë, nuk do të paguajnë taksat e papaguara nga 2012 e më parë dhe janë të detyruar të paguajnë taksat pa gjoba nga 2012 e këtej dhe ta mbajnë mjetin në qarkullim”shprehet Niko Lera, Drejtor i Politikave Fiskale. Ai sqaron se amnistia parashikon vetëm faljen e plotë të borxhit të vjetër tatimor e doganor të bizneseve, i akumuluar deri para 5 apo 6 vitesh, i cili në total llogaritet rreth 175 miliardë lekë. Sa për borxhet e reja, nga viti 2012 e këtej, ato nuk do të falen, por bizneseve do t’u jepet mundësia të fshijnë gjobat apo penalitetet përmes shlyerjes vullnetare të detyrimeve. “Një variant do të jetë të paguhet tatimi dhe interesat që lidhen me të përkundrejt mos pagimit të gjobave apo pagimi i 70-80% të tatimit dhe interesave përkundrejt heqjes së gjobave dhe 20% të tatimit”tha Niko Lera.