Kjo është situata në rrugën Et’hem Kazazi në Shkodër. Kanë mjaftuar vetëm pak reshje shiu që ky aks të bëhet thuajse i pakalueshëm për banorët të cilët jetojnë atje. Përgjatë gjithë kësaj rruge që ka një gjatësi më shumë se një kilometër ka gropa të mëdha duke e vështirësuar kalimin edhe për mjetet motorike. Mungesa e investimeve në rrugën Et’hem Kazazi është një problematikë e trajtuar shpesh në media, ku banorët kanë apeluar për rikonstruksionin e rrugës por pavarësisht kësaj deri më tani investimet kanë munguar. Të revoltuar dhe pa asnjë shpresë banorët shprehen pas kamerave se ndihen të lënë në harresë nga institucionet përgjegjëse. Banorët tregojnë se u kërkohet të paguajnë taksat në çdo zyrë të shtetit ndërsa ato vetë nuk marrin të vetmin shërbim që kërkojnë, atë të asfaltimit të rrugës dhe krijimit të kushteve normale për qarkullim. Nga ana tjetër mungesa e inevstimeve në rrugën Et’hem Kazazi në qytetin e Shkodrës disa herë është bërë pengesë për banorët e zonës të cilët kanë patur nevojë për transportimin me ambulancë drejt spitali rajonal të Shkodrës.