Amsterdami po konsideron një rritje radikale të taksave mbi turistët, me 10 euro për natë, për të larguar vizitorët që shpenzojnë pak dhe për të parandaluar që qyteti të kthehet në një Venecia të veriut.
Rreth 17 milionë njerëz vizituan qytetin me 850 mijë banorë, në 2016-ën, nga 12 milionë që ishin një vit më parë dhe trendi pritet të përshpejtohet. Më shumë se çereku i turistëve qëndrojnë në hotele të lira, sipas Këshillit lokal, duke kontribuar shumë pak në arkat e bashkisë dhe në të njëjtën kohë, duke inkurajuar dominimin e qendrës së qytetit nga akomodimet për turistët.
Javën e kaluar, qytetarë të Amsterdamit protestuan me banera e megafonë në duar, në shenjë frustrimi kundër ndryshimit të fytyrës së qytetit. ‘Amsterdami nuk është për shitje’ apo ‘ky është qyteti jonë’, ishin disa prej sloganeve që thërrisnin. Pas masave të shumta që janë marrë për t’ju përgjigjur shqetësimeve të banorëve, përfshirë moratoriumin ndaj ndërtimit të hoteleve dhe fushatës për të inkurajuar turistët të qëndrojnë përtej qendrës së qytetit, tani në tryezë vihet plani për rritjen radikale të taksës.
Këshilltari për financat Udo Kock, tha se nevojitej një formulë e re për të larguar turistët që shpenzojnë pak, në favor të atyre që kontribuojnë më shumë për buxhetin. ‘Na duhen turistë që qëndrojnë disa net, vizitojnë muzetë dhe darkojnë në restorante të mirë, e jo njerëz që vijnë për një fundjavë, për t’u endur në distriktin e dritave të kuqe”, ishin fjalët e tij për gazetën holandeze Het Parool. Këshilli po konsideron vendosjen e një takse fikse prej 10 eurosh për natë, që do t’i shtohet 5 përqindëshit të kostos së hotelit në qendër të qytetit.