Analisti shqiptar nga Mali i Zi Nail Draga, një mbrojtës i çështjes shqiptare dhe njohës i mirë i situatës në Kosovë dhe marrëdhëniet me Serbinë shprehet kundër iniciativës së ndërmarrë nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut të quajtur Open Balkan. Analisti Draga shprehet se Ballkani i Hapur nuk është asgjë tjetër veçse një retorikë e kohës dhe një tentativë e Serbisë për ta kthyer Ballkanin si para 30 viteve. Analisti Draga thotë se Beogradi vijon që të jetë një faktor destabilizues në Ballkan ndaj kjo nismë për të hapur kufijtë mes disa prej shteteve në rajon nuk i shërben shqiptarëve por përkundrazi i dëmton ato duke marrë parasysh situatën në Kosovë dhe faktin që Serbia as nuk ka kërkuar falje për krimet e luftës dhe as nuk e njeh ende Kosovën si shtet….
Ndërkohë që vijon të diskutohet Open Balkan nga ana tjetër Prishtina dhe Beogradi konfirmojnë pjesëmarrjen e tyre në takimin e Brukselit, ku sipas BE-së do të diskutohet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani dhe për çështjet e hapura. Ekipet negociuese të Kosovës dhe Serbisë takohen këtë të marte më 16 nëntor në Bruksel për të vazhduar dialogun, ndonëse ka kundërshtime ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Zyrtarët e Bashkimit Evropian thanë, se në raundin e ri të takimeve të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, diskutohet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani dhe çështjet çështjet e hapura e rrugën përpara në dialog. Nga zyra e kryeministrit të Kosovës thonë se, “temat e diskutimit në takimin bilateral do të jenë çështja e të zhdukurve, e energjisë dhe lëvizja e lirë”. Në anën tjetër nga zyra e qeverisë së Serbisë për Kosovën ndryshe nga Prishtina zyrtare thonë se në takim tema kryesore do të jetë Asociacioni i komunave me shumicë serbe.