Nëse nuk keni prenotuar ende pushimet, duhet patjetër të shkoni në Shqipëri. Kjo është këshilla që ish-zëdhënësi i Toni Blerit, Alistar Campbell i jep britanikeve. “Shqipëria,-shkruan ai në faqen e tij të internetit- nuk është ai vendi ku ka një statujë të komedianit Norman Uisdom, sepse ai është i vetmi perëndimor që shqiptarët kanë parë në ekranet e tyre bardhë e zi.
Nuk është as ai vendi i imagjinuar nga skenat e filmit Taken me Liam Neeson. Droga, prostitucioni, rrëmbimet, trafikimi i njerëzve…askush nuk do të donte të shkonte në një vend të tillë… Por, Shqipëria nuk është kjo…”. Ish-zëdhënësi i Blerit, shkruan se në të gjitha vizitat e tij, nuk është ndjerë asnjëherë i pasigurt…dhe citon atë çfarë kryeministri Edi Rama i ka thënë Boris Johnson…”nëse ka kriminelë shqiptarë në Londër, ata janë kriminelët tuaj, jo të mitë”, duke iu përgjigjur kështu kërcënimit të Johnson kundër anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Campbell, thërret në ndihmë edhe Lord Bajronin dhe përshkrimet e tij për vendin e shqiponjave. Poeti udhëtoi në Shqipëri në shekullin e 19 dhe i krahasoi shqiptarët në veshje, imazh dhe mënyrën e jetesës me malësorët skocezë.
“Sigurisht, -thotë Campbell – do të duhet një farë kohe që trashëgimitë e të shkuarës të zhduken, por ndërsa gushti erdhi, më lini t’iu sugjeroj….provoni Shqipërinë. Ia kam rekomanduar shumë njerëzve më parë, disa më kanë dëgjuar dhe askush nuk është bërë pishman. E para, vijon Campbell, është lirë… E dyta, moti dhe ushqimi janë mesdhetare. E treta, asnjë panoramë mbi tokë nuk mund të krahasohet për mua me malet e Skocisë, por Bajroni kishte të drejtë, Shqipëria, i afrohet shumë… E katërta, atje ka plazhe fantastike, të paprekura. E pesta, njerëzit janë shumë të këndshëm…dhe i pëlqejnë britanikët… E më e rëndësishmja, është një vend ku ndjen energji dhe shpresë. Ju këshilloj të shkoni e ta shikoni… E në përfundim, do ta doni po aq sa edhe unë…ju premtoj”, përfundon Campbell.