Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, më datë 18.01.2017 zhvilluan analizën vjetore të punës për vitin 2016.

Të pranishëm në këtë analizë ishin, Drejtori i Analizës dhe Informacionit në Drejtorinë e Policisë së Shtetit Drejtues Artur Mitre, Drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër Z. Granit Shahu, Prefekti i Qarkut Shkodër Z. Paulin Radovani, Drejtues të Gjykatës dhe të Gjykatës së Apelit Shkodër si dhe përfaqësues të institucioneve dhe agjensive ligjzbatuese. Drejtori i Policisë Vendore Shkodër Drejtues Alban Çela, ka vlerësuar punën e bërë nga strukturat e Drejtorisë Vendore si dhe ka theksuar se këto rezultate janë arritur falë angazhimit të punonjësve të policisë, punës në grup, të bashkëpunimit me strukturat e tjera ligjzbatuese por mbi të gjitha falë bashkëpunimit me komunitetin. Drejtori Çela gjatë fjalës së tij ndër të tjera ka veçuar disa tregues shumë pozitivë për vitin 2016 dhe konkretisht: * Gjatë vitit 2016, shërbimet policore të DVP Shkodër kanë evidencuar dhe referuar në prokurori 2.653 vepra penale. Si rezultat i organizimit të veprimtarisë hetimore-gjurmuese nën drejtimin e prokurorive të rretheve gjyqësore, shërbimet policore kanë arritur të mbledhin fakte dhe prova duke zbuluar e dokumentuar autorësinë e 1943 veprave penale, me një zbulueshmëri 73%. * Është dokumentuar implikimi i 2.444 autorëve të dyshuar të veprave penale, nga të cilët janë privuar nga liria duke i arrestuar 837 dhe ndaluar 236, janë ndjekur në gjendje të lirë 1.179, për 192 është shpallur kërkimi i personit, pasi janë larguar apo i janë fshehur drejtësisë. * Gjatë vitit 2015 janë evidencuar 2.752 vepra penale dhe janë zbuluar 2.138 prej tyre. Është dokumentuar implikimi i 2.612 autorëve të dyshuar nga të cilët 767 janë arrestuar, 131 janë ndaluar, 1.421 janë ndjekur në gjendje të lirë dhe 293 janë shpallur në kërkim. * Rezulton krahasimisht se, këtë vit në territorin e Qarkut Shkodër, është ulur kriminaliteti në masën 3.5% ose me 99 vepra penale më pak. * Gjatë vitit 2016: është rritur forca goditëse duke arrestuar 70 autorë të veprave penale më tepër; duke ndaluar 105 autorë të veprave penale më tepër, proceduar në gjëndje të lirë 236 autorë të dyshuar më pak si dhe duke shpallur 101 persona në kërkim më pak. * Në territorin e Qarkut Shkodër, janë rregjistruar mesatarisht 7.26 vepra penale në ditë nga 7.53 të rregjistruar në vitin 2015, ose 1231 vepra penale për 100.000 banorë. o Kanë pësuar rritje rastet e goditjes së veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor me 80 raste. o Është rritur siguria rrugore nëpërmjet uljes së numrit të aksidenteve automobilistike me 20 raste më pak se në vitin 2015. o Janë shtuar rastet e hetimit të aseteve kriminale në 15 raste më shumë, nga asnjë të hetuar në vitin 2015. o Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda ka organizuar dhe realizuar 3 operacione policore për goditjen e veprimtarisë kriminale në tendencat e krimeve të rënda si vrasje, vjedhje me armë dhe shtrëngim më anë të kanosjes për dhënie pasurie. o Seksioni për Hetimin e Narkotikëve ka organizuar dhe realizuar me sukses 17 operacione policore ku si rezultat janë sekuestruar 1229 kg marihuanë, 623 gram kokainë dhe 7 grame heroinë. o Seksioni për Hetimin e Trafiqeve ka organizuar dhe realizuar 4 operacione policore, në përfundim të të cilëve janë sekuestruar 6 mina të telekomanduara, 1 pushkë snajper, 2 pistoleta, silenciatorë për armë zjarri, municione për armë luftarake si dhe 36 automjete të vjedhura jashtë shtetit dhe të trafikuara në vendin tonë. o Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare ka marrë pjesë në operacione kombëtare, si në operacionin “Eklips” gjatë të cilit janë goditur 3 raste të prodhimit të kundërligjshëm të mallrave industrialë dhe ushqimore, në operacionin “Opson V-ë” kundër krimeve doganore, gjatë së cilit janë goditur 2 raste të kontrabandës së mallrave që u paguhet akcizë si dhe janë planizuar dhe realizuar edhe 7 operacione të tjerë policorë kundër krimeve ekonomike e financiare në Qarkun Shkodër kundër krimeve doganore dhe atyre ekonomikë e financiarë. Drejtori i Analizës dhe Informacionit në Drejtorinë e Policisë së Shtetit Drejtues Artur Mitre, ka vlerësuar rezultatet e arritura për vitin 2016 dhe ka theksuar se këto rezultate duhet ti ruajmë dhe ti përmirësojmë akoma më shumë gjatë këtij viti. Gjithashtu dhe të ftuarit përfaqësues të institucioneve të ndryshme, vlerësuan punën dhe rezultatet në bashkëpunim me policinë.

Artikulli paraprakMEDRESEJA NUK PËRFAQËSON LINJËN E MËSUESES ALUSHI
Artikulli tjetërVLLAZNIA RINIS STËRVITJET NË SHKODËR PAS FAZËS PËRGATITORE NË ULQIN