Fitorja ndaj Flamurtarit dhe loja e bukur që Vllaznia ka zhvilluar në këtë ndeshje, kanë bërë për vete të gjithë në Shkodër gjatë këtyre dy ditëve. Padyshim që edhe futbollistët duken të kënaqur nga kjo gjë por duket se tek ato po vërehen shenja euforie.
Jo më kot, drejtuesit e klubit dhe ato të stafit teknik, po mundohen t’i kthejnë “me këmbë në tokë” ata duke i kujtuar se ka qenë thjesht një ndeshje e fituar dhe kaq. Pasditen e së mërkurës është zhvilluar analiza e kësaj ndeshje dhe nga sa është bërë e ditur nga vetë klubi përmes faqes së tij zyrtare, administratori Gjyrezi dhe trajneri Gjoka ua kanë bërë të qartë futbolliistëve se i pret një ndeshje shumë e vështirë të shtunën.
Ja çfarë shkruhet në faqen e klubit për këtë gjë:
Pasditen e sotme ekipi i Vllaznisë i është rikthyer sërish stërvitjes duke nisur në këtë mënyrë përgatitjet për ndeshjen e rradhës me Kamzën. Ndërkohë, përpara nisjes së saj, ashtu siç ndodh zakonisht, është zhvilluara analiza e ndeshjes së mëparshme, asaj me Flamurtarin.
I pranishëm ka qenë edhe administratori i klubit z. Astrit Gjyrezi i cili në fjalën e tij para skuadrës i ka falenderuar futbollistët dhe stafin teknik jo vetëm për fitoren e arritur por edhe për lojën e bukur të zhvilluar ndaj skuadrës vlonjate.
Por nga ana tjetër, ka kërkuar nga futbollistët të mos e ulin ritmin e punës dhe të mos kalojnë në vetëkënaqësi përpara ndeshjes së rradhës sepse kjo do të sillte shumë probleme.
Më pas, ka marrë fjalën trajneri Gjoka i cili pasi është ndalur tek ndeshja me Flamurtarin, përveç anëve pozitive që janë shfaqur, është ndalur edhe tek dobësi që ka patur skuadra si në minutat e para të ndeshjes ashtu edhe në të fundit.
Numri 1 i skuadrës ka kërkuar nga futbollistët ta harrojnë çfarë ka ndodhur me vlonjatët sepse ajo tashmë është histori e kaluar dhe të mendojnë për sfidën e rradhës. P
adyshim që sipas tij, kemi të bëjmë me një takim shumë të vështirë dhe të tillë në fakt e kanë konsideruar edhe disa nga titullarët e ekipit si Lika, Sukaj, Vucaj e Malota.
Futbollistëve ndërkohë u është bërë e ditur se nuk do të kenë asnjë kontakt me gazetarët në këtë pragndeshje dhe i vetmi prononcim për ta do të jetë konferenca e shtypit që do të zhvillohet ditën e premte.
Pas kësaj analize, ekipi ka dalë në fushën e stërvitjes duke nisur punën për takimin e së shtunës ku padyshim që do të kërkohet rezultat pozitiv”.