Në një kohë kur diskutimet e debatet mbi emigracionin kanë mbërritur në një prej pikave më të nxehta (si për emigrantët shqiptarë, ashtu dhe me ata që pritet të vijnë në Shqipëri), në faqen tonë do të sjellim një seri intervistash me emigrantë, puna e të cilëve në “dheun e huaj” ka qenë një histori suksesi. Gazetari ynë, Erzen Koperaj, këtë radhë ka zgjedhur të intervistojë z.Andi Efovia, një sipërmarrës shqiptar që prej shumë vitesh jeton në Kanada.

E. Koperaj: Përshëndetje z. Andi Efovia, ju falenderoj që pranuat ftesën tonë për një intervistë të shkurtër me ju.

Andi Efovia: Faleminderit ju, Erzen, dhe medias ku ju punoni për ftesën.

E. Koperaj: z. Efovia, ju jeni emigrant në Kanada prej shumë vitesh. A mund të ndani me ne shkurtimisht historinë tuaj të emigrimit, të largimit nga Shqipëria dhe ikjes drejt Kanadasë?

Andi Efovia: Unë jetoj prej 25 vitesh në Kanada, pra gati një çerek shekulli. U largova nga Shqipëria gjatë vitit 1997, kur vendi ynë ishte në pragun e një lufte civile. Atë kohë, gjendja dukej aq kaotike dhe e pashpresë sa që e vetmja gjë normale ishte të ikje drejt një vendi tjetër. Padyshim që sot gëzohem se situata në Shqipëri ka ndryshuar shumë. Unë vij shpesh dhe përmirësimet janë të dukshme, por padyshim ende jemi larg qoftë pritshmërive që kemi si shoqëri, po ashtu dhe standardeve të vendeve perëndimore. Në planin personal, jam i martuar, kam një martesë stabël dhe të lumtur, të paktën deri tani. Me time shoqe, e kuptojmë dhe mbështesim shumë njëri-tjetrin, si emigrantë të dy. Padyshim, kjo është primare për mua, sepse mendoj që familja qëndron mbi të gjitha. Ndërsa në prizmin e jetës së biznesit, gjatë viteve jam angazhuar në shumë fusha dhe njihem në komunitet si njeri i biznesit dhe inisiativës. Mendoj se deri tani ia kam arritur t’ia dal mbanë me një sukses modest por konstant.

E. Koperaj: z. Efovia, desha të ndalesha më shumë te kjo e fundit, mbi “jetën profesionale”, sepse dhe thelbi i intervistave tona me emigrantët është mbi aktivitetin e tyre në punë e biznese, duke dëshmuar se jo vetëm që janë integruar, por edhe janë kthyer në histori suksesi.

Andi Efovia: Mbi aktivitetin tim kam për të thënë shumë, por edhe në limitet e intervistës tuaj do të mundohem ta perifrazoj në mënyrë sa më të qartë dhe koncize. Fillimisht kam qenë i angazhuar në siguracionin e jetës, shtëpisë dhe të makinës, kam punuar për vite të tëra në këtë fushë. Sëfundmi, jam bërë pjesë e një projekti pune që këtu tek ne quhet dispatch, sëbashku me një firmë kanadeze transporti. Aty merrem me pjesën logjistike të transportit. Në të vërtetë, është një punë që më pëlqen shumë dhe e bëj me ëndje. Në këtë pikë dua të falenderoj përzemërsisht komunitetin shqiptar këtu, i cili më ka dhënë shumë forcë e mbështetje në këtë aktivitet. Po ashtu shpresoj që ky bashkëpunim të forcohet edhe më shumë, pasi këtu në Kanada, ne shqiptarët nuk jemi një komunitet i vogël, për më tepër po rritemi dita ditës dhe mbi të gjitha po tregojmë vlerat tona më të mira si komunitet. Madje, shpresoj që dhe kjo intervistë të jetë një shtysë për të informuar gjithandej shqiptarët në Kanada mbi këtë aktivitet, duke zgjeruar edhe shprehur mbështetjen që kemi për njëri-tjetrin. Mendoj se mund të jap me qindra detaje për këtë operim të ri timin në këtë biznes.

E. Koperaj: z. Efovia,besoj se në një intervistë tjetër, mund t’ju pyesim edhe mbi rezultatet konkrete.
Nga ana jonë, këtu në Shqipëri, e çmojmë këtë gatishmërinë tuaj për të vazhduar këtë bashkëpunim me komunitetin atje, dhe pavarësisht se nuk jemi pjesë e biznesit dhe të kontributit tuaj atje, ne që jetojmë këtu në Shqipëri, si bashkëqytetarë dhe bashkëkombas tuaj, e vleresojmë pa masë faktin që emigantët tanë atje, bashkëpunojnë, kanë harmoni dhe bëjnë biznes me njëri-tjetrin. Padyshim, kjo është ajo që vlerësojmë dhe e quajmë suksesin e vërtetë të njerëzve tanë në “dheun e huaj”. Z. Efovia ishte kënaqësi bashkëbisedimi me ju, dhe ju uroj ju dhe komunitetit shqiptar në Kanada suksese.
Andi Efovia:Kënaqësia ishte e imja. Ju falenderoj ju dhe mediat lokale të Shkodrës që vazhdimisht i kushtojnë vëmendje emigrantëve dhe komuniteteve shqiptare nëpër botë.

Artikulli paraprakTABAKU: NEGOCIATAT ME BE-NË JO VETËM NË LETËR, TË REFLEKTOHEN EDHE TEK JETA E QYTETARËVE
Artikulli tjetër“VORIO EPIRI KA VDEKUR”, REAGON ATHINA PAS DEKLARATËS SË RAMËS