Kryeministri në mandatin teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviç deklaroi të mërkurën në seancën e Komisionit Parlamentar për Marrëdhënie Ndërkombëtare , se “vota e shtetit të tij pro-Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës nuk ishte kundër Serbisë”. Seanca ishte kërkuar nga partitë pro-ruse dhe pro-serbe për t’i kërkuar sqarime zotit Abazoviç lidhur me mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Zoti Abazoviç, përmendi nenin 4 të Marrëveshjes së Ohrit, duke thënë se “njëri vend nuk do të pengojë tjetrin nëse dëshiron të anëtarësohet në një organizatë të caktuar ndërkombëtare”.
“Mali i Zi votoi së bashku me 33 vende të tjera. Neni 4 i Marrëveshjes së Ohrit thotë se një vend nuk do të ndalojë një tjetër nëse dëshiron të anëtarësohet në një organizatë të caktuar ndërkombëtare. Interesi i Malit të Zi këtu është më madhor. Kjo reflektohet në bashkëpunimin dhe stabilitetin rajonal. Ne nuk mund të japim një kontribut më të madh në zgjidhjen e këtyre çështjeve, por mund të jemi miqësorë dhe t’i ftojmë shtetet të gjejnë një gjuhë të përbashkët”, deklaroi kryeministri Abazoviç para Komisionit Parlamentar. Në këtë kuadër, kryeministri Abazoviqç shtoi se vendi i tij ka marrëdhënie të mira me Serbinë.
“Kam qenë shumë kolegjial. Kam thënë se do të votojmë pro dhe se ky veprim nuk është kundër Serbisë. Ne jemi një vend që e kemi njohur Kosovën, jemi sjellë si të gjithë vendet tjerë që e kanë njohur, por ne i kuptojmë vendet që nuk e kanë njohur Kosovën”, deklaroi ndër të tjera zoti Abazoviç. Ambasadorja e Malit të Zi në Këshillin e Europës, Bozhidarka Kruniç, ka mbështetur hyrjen e Kosovës në KE javën e kaluar, në takimin e Komitetit të Ministrave të KE-së. Zonja Kruniç ka votuar sipas udhëzimeve të qeverisë malazeze. Seanca dëgjimore ndaj zotit Abazoviç, i cili njëkohësisht është ushtrues detyre i Ministrisë së Punëve të Jashtme, u mbështet nga deputetët e Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus, Partisë Popullore Socialiste dhe Demokratëve, me sugjerim të kryetarit të komisionit, Miodrag Lekiç.
Zoti Lekiç vuri në dukje se seanca dëgjimore është e domosdoshme “për të na shpjeguar metodën me të cilën është vendosur të përkrahet Kosova si anëtare e Këshillit të Europës. Kjo çështje është e diskutueshme. Vendimi është marrë lehtë kur po zhvillohen negociata të rëndësishme ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, tha Lekiç. Podgorica zyrtare e njohu Kosovën si shtet të pavarur në vitin 2008, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike të Socialistëve të ish presidentit, Milo Gjukanoviç. Ndërkaq, gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë, Abazoviç theksoi se Mali i Zi do të mbështesë integrimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe rajonale.