Presidenti Ilir Meta ka emëruar dje anëtar të Gjykatës Kushtetuese prokurorin Besnik Muçi, i kualifikuar nga Këshilli për Emërimet në Drejtësi në një listë me tre kandidatë për një vend vakant në gjykatën më të rëndësishme në Shqipëri.

Në 1 tetor të vitit 2018, Besnik Muçi u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i njohur si shkalla e parë e Vetingut. Vendimi u firmos në unanimitet nga të tre gjyqtarët, Lulzim Hamitaj, Olsi Komici dhe Brunilda Bekteshi, për të tre kriteret e vlerësimit. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit të Vetingut, i përbërë nga përfaqësues të SHBA-BE, nuk mbajti asnjë qëndrim për Vetingun e Muçit.

Por, Komisioneri Publik, në 31 tetor të 2018, i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit shkarkimin e Besnik Muçit nga detyra, me argumentin e pretenduar se nuk justifikon pasurinë me të ardhura të ligjshme. Kolegji i Apelimit caktoi trupën gjykuese të kryesuar nga Sokol Çomo dhe të përbërë nga Ardian Hajdari,

Albana Shtylla, Rezarta Schuetz dhe Natasha Mulaj për shqyrtimin e dosjes. Seanca e parë është zhvilluar në 12 nëntor 2018, ndërsa e seanca e radhës është zhvilluar ditën e djeshme, pikërisht dita kur ka dalë emri e tij si anëtar i ri i Gjykatës Kushtetues.

Dokumenti i fundit
Në 1 tetor 2019, 11 muaj pas seancës e parë, Komisioneri Publik ka paraqitur parashtrimet e fundit pranë Kolegji të Posaçëm të Apelimit, duke kërkuar edhe një herë shkarkimin e Besnik Muçit nga detyra. Në dokument Komisioneri Publik thekson se “subjekti i rivlerësimit nuk arrin të provojë bindshëm burimin e ligjshëm të kursimeve personale të deklaruara, si dhe burimin e ligjshëm të huave të deklaruara nga personat e tjerë të lidhur,

duke rezultuar kështu në pamjaftueshmëri në mbulimin me burime të ligjshme të kësaj pasurie. Për pamjaftueshmërinë në deklarim dhe pamundësinë për të justifikuar bindshëm me burime të ligjshme, kursimet personale të deklaruara në shumën 200.000 lekë, në vitin 2005, rezulton se subjekti nuk ka paraqitur asnjë provë për të provuar të kundërtën (sikurse dhe për vitet 2003 dhe 2004)”.

Pse kërkohet shkarkimi i Muçit?
Komisioneri Publik pretendon se Besnik Muçi nuk justifikon as blerjen e një apartamenti në vitin 2006 me vlerë 1.900.000 lekë. Sipas Komisionerit Muçi “ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të pasurisë, referuar nenit 61, pika 3 e ligjit nr. 84/2016. Ndërsa në shpjegimet e tij, prokurori Muçi ka theksuar se

“Gjatë këtyre viteve, unë dhe familja ime kemi ndjekur një regjim të rreptë kursimi. Fëmijët kanë qenë të vegjël dhe kemi kryer vetëm shpenzime të nevojshme për jetesë (nuk kemi kryer udhëtime, pushime, kemi përdorur shërbimet publike për transport, nuk kemi udhëtuar asnjëherë jashtë Republikës së Shqipërisë,

konfirmuar nga sistemi TIMS etj). …gjatë kësaj periudhe, ne si familje jemi ndihmuar me shuma monetare dhe në forma të ndryshme, kemi marrë produktet bujqësore e blegtorale nga fshati etj., nga prindërit e mi, vëllai im, i cili ka qenë emigrant, dhe familja e vjehrrit, i cili ka qenë i punësuar, dhe vjehrra ka pasur një biznes të vogël tregtimi të rrobave për fëmijë”.

Çfarë mund të ndodhet tani?
Nëse ankimimi i Komisionerit Publik do pranohet nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit dhe Besnik Muçi do shkarkohet nga Vetingu, e gjithë procedura e ndjekur deri tani për emërimin e tij, bie. Dhe Gjykata Kushtetues mbetet prapë vetëm me një anëtar, shumë larg nga kuorumi minimal i nevojshëm prej 6 anëtarësh për të marrë vendime.

Komisioneri Publik
Në 1 tetor 2019, 11 muaj pas seancës e parë, Komisioneri Publik ka paraqitur parashtrimet e fundit pranë Kolegji të Posaçëm të Apelimit, duke kërkuar edhe një herë shkarkimin e Besnik Muçit nga detyra.

Konkluzionet e Komisionerit Publik për Besnik Muçin
-Në deklaratën për Vetingun Besnik Muçi ka deklaruar apartament me sipërfaqe 57 m2, në 2006, me vlerë 1.900.000 lekë. Burimi: kursime 200.000 lekë; hua 500.000 lekë nga babai, hua 6.000 euro nga motra, 3.000 euro nga xhaxhai. Nga analiza financiare për vitin 2005, subjekti ka rezultuar me një balancë financiare negative në vlerën -199.945 lekë. Huaja 500.000 lekë nga babai nuk është formalizuar me shkrim midis palëve. Për të provuar aftësinë huadhënëse të xhaxhait të tij, subjekti i ka paraqitur Komisionit si provë shkresore vërtetimin…,

nga Njësia Administrative ***, Bashkia ***, ku rezulton se z. ***. ***. ka në zotërim tokë bujqësore dhe realizon prej saj të ardhura vjetore në shumën 111.465 lekë. Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në lidhje me dokumentacionin e paraqitur nga subjekti i rivlerësimit për të provuar aftësinë huadhënëse të babait dhe xhaxhait, Komisioni nuk ka hetuar mbi vlefshmërinë ligjore dhe provueshmërinë e tyre, por i ka marrë të mirëqena ato. Komisioni nuk ka pyetur subjektin për shumat me të cilat ka kredituar llogaritë e motrës së tij, ndërkohë që

kjo e fundit i ka dhënë huan në shumën 6.000 euro, fakt i cili në optikën e Komisionerit Publik do të duhej të hetohej në mënyrë shteruese. Ndryshe nga përfundimet e arritura nga Komisioni, të cilat janë pasqyruar në pjesën arsyetuese të vendimit nr. 58, datë 1.8.2018, në vlerësimin e Komisionerit Publik, në lidhje me burimin e ligjshëm të krijimit të të ardhurave që janë deklaruar se kanë shërbyer për blerjen e pasurisë së paluajtshme “Apartament banimi me sipërfaqe 57 m2, me adresë rr. “*** ***”, na rezulton se subjekti i rivlerësimit, z. Besnik Muçi, ka kryer deklarim të pamjaftueshëm, në referencë të pikës 3, të nenit 61, të ligjit nr. 84/2016.

Artikulli paraprakNJIHUNI ME PARASHIKIMIN E MOTIT PËR DITËN E SOTME
Artikulli tjetërBORXHI I SERBISË NDAJ PENSIONISTËVE TË KOSOVËS AFËR 3 MILIARDË EURO