Një shkodrane është shpallur kampione Europe me Italinë në volejboll për femra. Anxhela Çoba është vajza shkodrane që triumfoi mbrëmjen e 24 korrikut me ekipin italian të 17 vjeçareve. Italia U-17 për femra luajti në finale ndaj Turqisë duke fituar ndeshjen në setet 3-1 dhe duke merituar kështu medaljen e artë të këtij europiani. Ndeshja finale u luajt në sallën sportive Slavia në Hradek Kralove të Çekisë ndërsa vajzat e kombëtares italiane zhvilluan një lojë më të mirë duke arritur që të fitojnë dhe të shpallen kampione të Europës.

Shkodrania e Italisë Anxhela Çoba u aktivizuar nga trajneri Michele Fanni në formacion duke dhënë kontributin e saj në këtë sukses të madh të volejbollisteve 17 vjeçare italiane. Vajzat italiane arritën këtë triumph pas 21 vitesh pritje duke u rikthye në krye të podiumit të Kampionatit Europian. Anxhela Çoba vjen nga një familje me tradita në sport sepse është vajza e Gjon Çobës, ish volejbollisti i Vllaznisë i cili ndodhet bashkë me familjen e tij prej vitesh në Itali.

Çoba vijoi karrierën si trajner në Itali ndërsa vajza e tij prej vitesh stërvitet në ekipet italiane duke merituar një vend në kombëtare dhe duke u shpallur kampione Europe me 17 vjeçaret. Ky sukses i Italisë tregon për një brez me të ardhme në volejbollin italian pjesë e të cilit është edhe vajza shkodrane Anxhela Çoba. Në këtë kompeticion Gjermania u rendit e treta pasi fitoi ndeshjen ndaj Serbisë 3-1.

 

Artikulli paraprakU ARRESTUA PËR DROGË, ZBARDHET DËSHMIA E GJERMANIT
Artikulli tjetërPËRMBYLLET KAMPIONATI I VOLEJBOLLIT “VOLEJPOJA”