Kancelarja Angela Merkel kandidon për herë të katërt, por në këtë betejë “Mbretëresha e Gjermanisë” është e goditur rëndë politikisht. Politika e saj është mjaft e kontestuar.
Nuk ka qenë shumë e vështirë të përfytyroje në vitet e fundit imazhin e Merkelit si femër dhe politikane, ajo përmblidhej shkurt me togfjalëshin – një histori suksesi. Ne habiteshim vërtet për stilin jo të zhdërvjellët, për daljet e saj publike disi të thata, për retorikën modeste. Prej kohësh mbeti pa përgjigje pyetja, pse një politikane si ajo të kishte kaq sukses dhe të rrezatonte një autoritet të tillë. Tani dimë më shumë: Besueshmëria e saj është e pakontestuar. Askush nuk mendonte, se ajo ndjek interesa të tjera veç atyre të kancelares. Edhe stili i saj pak i ftohtë në politikë, kishte diçka qetësuese, po ashtu edhe me jetën e saj private aspak luksoze, ajo fitonte pikë: Merkeli gatuante vetë, shkonte në pushime për alpinizëm – kancelarja i shërbente imazhit të shumë gjermanëve, një kancelare si një gjermane e zakonshme. Në vitin 2013 në fund të duelit televiziv me rivalin e saj demokrat, Peer Steinbrück të socialdemokratëve, ajo iu përgjigj pyetjes së moderatorit për mesazhin ndaj votuesve: “Ata më njohin.” Kjo ishte positive, dukej e llogaritur. Po sot shumë vetë nuk e dinë se ç’presin prej Merkelit. E vetme pa miq Kjo funksionoi sa kohë që bota ishte ende në rregull. Pra, para krizës së refugjatëve, para Brexit, para Trump. Tani Merkel duhet të përballet me stuhi. Sepse vetëm të dhënat për numrin e ulët të papunësisë, rritjen solide ekonomike dhe arkave të mbushura nuk i qetëson të gjithë. Gjermania, Europa, bota është polarizuar. Kohë të vështira. E numri i partnerëve të vështirë në komunikim shtohet. Merkel i ka treguar vendin Putinit, disa herë, por në atë kohë imazhi i saj në Gjermani ishte i paprekur ndërsa brenda BE-së ajo ishte një grua me pushtet. Këtë dobësi aktuale, të qenurit e sulmueshme e shfrytëzon edhe presidenti Erdogan, burri i fortë i Bosporusit. Madje edhe vende të vogla juglindore, që kërkonin gjithmonë mbështetjen e Gjermanisë që të bëheshin pjesë e familjes së BE-së, janë bashkuar politikisht kundër „kancelares së Europës”, sepse ata kanë nxjerrë në rang të parë shtetin kombëtar. Para këtij sfondi Merkel mbetet të jetë, siç shkroi „New York Times” „mbrojtësja e fundit e Perëndimit liberal”. Për ta bërë këtë në plan afatgjatë, në shtator të vitit të ardhshëm, asaj i duhet një mazhorancë që të konfirmohet si kancelare, gjë që ka shumë gjasa të ndodhë. Por në rrugën deri në mandatin e ri ka shumë pengesa. Presidentin e ri federal e ofrojnë socialdemokratët: Një dëftesë jo pozitive për partinë më të madhe dhe kryesuesen e koalicionit. Merkel priti gjatë, derisa Sigmar Gabriel krijoi fakte. Kjo do të regjistrohet në kronikë si dështim i saj. Tërmeti politik Deri para vitit 2015, vitit të valës së madhe së refugjatëve kaluan më shumë se 10 vite që shkruan historinë e Merkelit. Historia e saj, fëmijëria, rinia, studimet në RDGJ, sfondi i familjes protestante, pak lidhje politike, por shenja të vullnetit-të gjitha këto të lidhura me ndryshimin e vitit 1989 e bënë Merkelin të ngjitej në sistemin politik të burrave, pas epokës së Helmut Kohlit. Në kohën kur Kohl humbi “shenjtërinë” për shkak të një afere donacionesh të partisë së tij, ende të pasqaruar, ajo ndërhyn me energji dhe zgjidhet në vitin 2000 si kryetare e partisë, CDU. Ora e lindjes së mitit Merkel – me tendencës ngjitjeje deri në verën 2015. Që atëherë realiteti ka ndryshuar shumë më shpejt se politika. Në politikën e refugjatëve u duk se Merkeli kishte gjetur temën e saj, më shumë se kaq, ajo kishte një vizion politik. Në vend të imazhit të njohur për heshtje të gjatë, vendime të vonuara, ajo tregoi vullnet për të marrë vendime – së paku gojarisht. Një akt human, pa llogari politike, “një moment i bukurisë politike”, shkroi më vonë “Der Spiegel”. Prej kohësh ajo pjesërisht është penduar për atë që nuk mund të parashikonte dot në pjesën e dytë të 2015-s, nuk dëshironte të ndalte: Futjen e pakontrolluar të qindra mijëra refugjatëve. Që atëherë dëgjoheshin zëra: E di ajo se ç’bën? Humbje kontrolli në kufi Angela Merkel nuk ia doli dot që momentin historik ta kthente në një politikë racionale. CSU u ngrit kundër saj, landet gati nuk e përballonin dot më fluksin, frika reale dhe ajo e imagjinuar në shoqëri u rritën, gjë që ndihmoi rritjen e AfD-së. Madje edhe në partinë e saj pati shumë zëra kritikë. Kësaj i shtohet humbja e reputacionit në BE. Fillimisht kancelarja lejon hapjen e kufijve për qindra mijëra refugjatë, pa ujdi me partnerët europianë për shpërndarjen e barrës me vendet e tjera. Pasoja: Kur iu deshën Merkelit, partnerët europianë i kthyen kurrizin. Ka shumë gjasa – nëse mund të bëhen më parashikime – që Merkel të jetë kancelare për një mandat të katërt. Kjo për faktin se ajo me unionin që ka pësuar humbje, bashkë me socialdemokratët e rrënuar në elektorat mund të krijojë një koalicion me bazë të gjerë. Por a do të ishte ky vullneti i votuesve, përgjigja ndaj votuesve të protestës? Problemi i saj: Merkeli është vërtet personi Nr. 1 brenda CDU/CSU në zgjedhjet e Bundestagut, por ajo do të ishte kancelare e një peizazhi politik mjaft të polarizuar. Vitet më të vështira Merkel i ka përpara. Këtu mbetet e hapur edhe pyetja, nëse Merkel mund ta vendosë vetë fundin e epokës së saj si kancelare.