Aktorja e famshme, njëherësh e dërguara e posaçme e agjensisë së refugjatëve, Angelina Jolie, i bëri thirrje NATO-s që të ndërhyjë në ndalimin e dhunës seksuale ndaj grave, si një armë lufte. Ylli i hollivudit amerikan përmes një konference të përbashkët me sekretarin përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, bëri të qarta përpjekjet e saj ndërkombëtare për të mbrojtur të drejtat e grave. Jolie: Nuk mund të ketë paqe dhe siguri të qëndrueshme, pa të drejta të barabarta dhe pa pjesëmarrje të grave në të gjitha shoqëritë.

Dhe këto të drejta nuk mund të arrihen në një mjedis ku nuk ka ndëshkime për krimet masive kundër grave dhe vajzave. Kjo luftë për barazi, që dikush u shpreh një ditë për tu dhënë grave të drejtyat e tyre: Ju nuk ua jepni atyre, gratë e kanë atë, ato lindin me të drejtat e tyre, ju e dini, më së miri. Çdo grua, çdo vajzë, ka lindur me të drejtat e saj njerëzore, dhe ne duhet t’i mbrojmë dhe të luftojmë për to. Ylli hollivudian, tashmë një aktiviste e fuqishme tha se kishte takuar viktimat e dhunës seksuale në konflikt dhe po përpiqej të ishte një zë i fuqishëm për ta. Duke shprehur frustrimin për mungesat e ndihmës ndaj viktimave, Jolie tha se shpresonte që NATO mund të ndihmonte duke rritur standardet në ushtritë e tjera përmes programeve të trajnimit jashtë vendit, si dhe duke promovuar rolin e grave në ushtri.

Jolie shprehu trishtim për reagimin e vakët dhe indiferent të shumë qeverive në mbarë botën. Me rreth 65 milionë njerëz të detyruar për të braktisur shtëpitë e tyre nga konfliktet e armatosura, Jolie tha se është është rritur ndjeshëm shkalla e krizës së refugjatëve në mbarë botën. Nga ana tjetër sekretari i NATO-s, Stoltenberg tha se një nga çështjet me të cilat po punon Aleanca në shumë prej vendeve partnere si Kosova, Afganistani e Jordania është se si të ketë më shumë ushtare femra, por edhe më shumë policë femra. “Në po i trajnojmë e po i fuqizojmë dhe besojmë se gratë në forcat e armatosura janë të mira për fuqizimin e grave në të gjithë botës”, deklaroi Stoltenberg.

NATO, që numëron 29 vende anëtarë me misionet e saj nga Kosova e deri në Afganistan, ka rënë dakord që të raportojë rastet e dhunës seksuale në luftë për të ndihmuar në nxjerrjen e autorëve para drejtësisë dhe për të sfiduar idenë se përdhunimi është një aspekt i pashmangshëm i konfliktit.

Artikulli paraprakKUVENDI VOTON SOT PËR ANËTARËT E KLP DHE KLGJ
Artikulli tjetërZV/PRESIDENTI I UEFA-S TAKOHET ME KRYEMINISTRIN EDI RAMA