Pretendimet e mëparshme rreth azilkërkuesve shqiptarë në Britani janë hedhur poshtë sot, gjatë një vendimi që është konsideruar si një ‘kthesë 180 gradë’ nga mediat vendase. Zyra e Brendshme britanike e emigracionit e njohur gjithashtu si Home Office ka pranuar se nuk ka të drejtë të përshpejtojë procesin e dëbimit të azilkërkuesve shqiptarë pas mbërritjes së tyre në Britaninë e Madhe, duke bërë kështu një kthesë 180 gradë në politikat e tyre të emigracionit. Ish-sekretarja e Brendshme britanike, Priti Patel nënshkroi një marrëveshje me qeverinë shqiptare në gusht për të kthyer ata që mbërrijnë ilegalisht në tokën angleze.

Ajo pati deklaruar se kjo marrëveshje do të nënkuptonte se Mbretëria e Bashkuar mund të kthente me një proces të përshpejtuar azilkërkuesit që mbërrinin në Mbretërinë e Bashkuar dhe e bënin këtë nën pretendime “të rreme”. Por departamenti ligjor i qeverisë ka konfirmuar ditën e sotme se skema nuk do të zbatohet për shqiptarët që aplikojnë për azil në Mbretërinë e Bashkuar. Pranimi u bë me anë të një letre zyrtare për avokatët që punojnë për organizatën e bamirësisë së refugjatëve Care4Calais, e cila kishte sfiduar politikat e mëparshme. Sipas kësaj letre, shumica dërrmuese e shqiptarëve që kërkojnë leje për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar nuk do të preken nga marrëveshja. Clare Moseley, themeluesja e Care4Calais, shpjegoi se “Sugjerimi ishte se kërkesat për azil të bëra nga shqiptarët janë të rreme. Në fakt, shifrat e fundit tregojnë se 53% e kërkesave shqiptare për azil pranohen nga Home Office, duke treguar se për shumë shqiptarë vendi i tyre nuk është një vend i sigurt për të jetuar. Nën kërcënimin e rishikimit gjyqësor, qeveria ka bërë një kthesë domethënëse. Duke vepruar kështu, ata po pranojnë që refugjatët nga Shqipëria kanë të drejtë të bëjnë një kërkesë për azil dhe të kenë mundësinë që ajo të dëgjohet dhe të konsiderohet nga autoritetet britanike në mënyrë të drejtë. Kjo është një fitore e madhe e mirësjelljes njerëzore.” – tha ajo.

Pretendimi i Patel u bë pasi shifra zyrtare zbuluan se 2,165 shqiptarë u regjistruan si azilkërkues që mbërrinin ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar me anë të varkave të vogla midis janarit dhe qershorit 2022, krahasuar me vetëm 23 raste të zbuluara në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pas nënshkrimit të një marrëveshjeje kthimi me qeverinë shqiptare, Patel tha se: “Këta shtetas shqiptarë janë sjellë këtu ilegalisht nga rrjetet e organizuara kriminale që udhëtojnë nëpër vende të shumta të BE-së. Ata janë duke blerë azil dhe duke bërë përpjekje për të kërkuar azil në Mbretërinë e Bashkuar me shpresën se mund të qëndrojnë këtu.” Pas këtyre deklaratave, Duncan Lewis Solicitors, i cili përfaqëson gjithashtu Care4Calais, i dërgoi një letër qeverisë duke kërkuar zbulimin e skemës së propozuar. Në përgjigjen e tij, departamenti ligjor i qeverisë britanike shkroi se marrëveshjet me qeverinë shqiptare “nuk do të zbatohen për azilkërkuesit nga Shqipëria”.

Artikulli paraprakROMËT NË SHKODËR, TË BRAKTISUR DHE NË KUSHTE EKSTREME
Artikulli tjetërAS BERISHA DHE AS HYSAJ NË FUSHË, JA KUSH PRITET TË JETË KAPITENI I KOMBËTARES NDAJ ISLANDËS