Kryeministri britanik Keir Starmer është vendosur në qendër të mediave britanike, pas një komenti që ka bërë lidhur me marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për strehimin e emigrantëve. Ndërsa është pyetur nga gazetarët mbi këtë marrëveshje, Starmer thotë se është i hapur për dërgimin e azilkërkuesve në Shqipëri. Ai do të mbajë një minisamit me kryeministren e Italisë Giorgia Meloni. Kryeministri britanik u tha gazetarëve që udhëtonin me të në Uashington DC përpara se të fluturonte për në Romë se është i interesuar të shohë se si funksionon marrëveshja e Italisë me Shqipërinë.
“Le të shikojmë. Unë jam i interesuar për mënyrën si funksionon. Mendoj se edhe të gjithë të tjerët këtë po bëjnë”, -ka deklaruar kryeministri Keir Starmer.
“Starmer i hapur për dërgimin e azilkërkuesve në Shqipëri si skema italiane”, ky është titulli i ‘The Independent’.
Ndërkohë, ‘The Telegraph’ e ka titulluar artikullin: ”Starmer hap derën për skemën e emigracionit në Shqipëri për të zëvendësuar Ruandën”. Brenda disa ditësh pas marrjes së pushtetit në korrik, Sir Keir anuloi marrëveshjen e Mbretërisë së Bashkuar për dërgimin e emigrantëve në Ruanda. Por ai tani duket i hapur ndaj skemave të ngjashme me vende të tjera.