Prej disa kohësh anija rimorkiatore shqiptare “Adriatik” qëndron e bllokuar në portin e Otrantos në Itali.

Për autoritetet italiane kjo anije nuk ka siguri lundruese si dhe rrezikon ndojtjen e ambientit.

Kontrollet e kryera nga autoritetet portuale italiane kanë verifikuar se anija shqiptare shfaq një keqfunksionim të impianteve antizjarr, të makinerive si dhe të pastërtisë në bord. Gjithashtu ka mungesë të hartave detare si dhe të dokumentacioneve të detyrueshme për lundrim.

Anija “Adriatik” nuk respekton kriteret standarte të lejueshme për të lundruar.

E në bazë të traktateve ndërkombëtare në mbrojtje të sigurisë së lundrimit e të jetëve njerëzore në det, anija “Adriatik” është bllokuar nga autoritetet italiane.

Vetëm pasi të sigurojë të gjitha kriteret e detyrueshme për lundrim, kjo anije do të lejohet të mbërrijë në destinacionin e deklaruar të mbërritjes, në Greqi.

Ndoshta autoritetet portuale shqiptare duhet të tregohen më të kujdesshme në kontrollin e dokumentacioneve të anijeve të vogla e të mëdha shqiptare që çdo ditë kapërcejnë portet vendase drejt vendeve të ndryshme të botës.

Siguria në lundrim, siguria e jetës njerëzore në det e garancia kundër ndojtjes së ambientit janë rregullat bazë të legjislacionit detar ndërkombëtar.

Artikulli paraprakARRESTOHET SHQIPTARI I DËBUAR, NË PRANGA DHE SHOFERI
Artikulli tjetërNUK U PRANOHET KËRKESA PËR AZIL, FRANCEZËT NË MBËSHTETJE TË DY NXËNËSEVE SHQIPTARE