Sipas një anketimi, pak më shumë se gjysma e fuqisë punëtore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 51 për qind e tyre janë të gatshëm të marrin deri 20 për qind më pak pagë në këmbim të një jete më cilësore.

“Mendoj se njerëzit kanë vështirësi të gjejnë një ekuilibër mes punës dhe jetës”, thotë psikologia Lynn Bufka nga Shoqata Amerikane e Psikologjisë. “Në pjesë të caktuara të Shteteve të bashkuara ne kemi një shtytje për të punuar me intensitet të lartë dhe për të qenë të suksesshëm. Kjo gjithnjë e më shumë po kuptohet nga njerëzit se nuk është një zgjedhje e mirë për ne”.

Punonjësit e moshës më të re kanë më shumë prirje të heqin dorë nga një pjesë e pagës në këmbim të një jete më të ekuilibruar, sipas një anketimi. Gjashtëdhjetë për qind e punonjësve të moshës 27 deri 42 vjeç dhe 56 për qind e atyre të moshës 18 deri 26 vjeç, thonë se do të zgjidhnin një vend pune me një pagë më të vogël në këmbim të një ekuilibër më të mirë mes punës dhe veprimtarive të tjera të jetës.

Sipas anketimit, 45 për qind e amerikanëve të moshës 43 deri 59 dhe 33 për qind e atyre të moshës 60 deri 78 vjeç, do të pranonin të merrnin një pakësim deri 20 për qind të rrogës në këmbim të një ekuilibri më të mirë mes punës dhe angazhimeve të tjera në jetën e tyre. Ky është një fenomen me të cilin ekspertja Toothacre ka përvojë të gjatë në fushën e saj. Ajo thotë se shumë klientë të saj duan orar më elastik të punës dhe aktiviteteve të tjera.

“Balanca mes punës dhe angazhimeve të tjera në jetë është një e rëndësishme për klientët tanë. Shumica e tyre më kontaktojnë sepse ata nuk janë të kënaqur me karrierën e tyre, ose duan të gjejnë një karrierë që ofron një ekuilibër më të mirë mes punës dhe angazhimeve të tjerë në jetë. Kjo dëshirë për elasticitet në orarin e punës është e nevojshme për shumicën e njerëzve”.

Në anketimin, i cili u krye nga gushti deri në shtator të vitit 2023, morën pjesë 16,086 njerëz nga 16 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Shtatëdhjetë e shtatë për qind e atyre që morën pjesë në anketim thanë se i japin përparësi ekuilibrit në jetë në vend të avancimit në vendin e punës.

Artikulli paraprak“VENDIMI PËR MUA ËSHTË MARRË”, ÇFARË DEKLAROI FREDI BELERI PARA GJYKATËS
Artikulli tjetërKUJDES…DO TË MERRNI NJË VENDIM PËRFUNDIMTAR, ÇFARË THONË YJET PËR JU SOT