Gjithçka nisi me dy turistë që u ankuan se u ishte shërbyer ushqimi i gabuar në restorant dhe zënka përfundoi me dhunë. Turistët zakonisht shkojnë në Bad Schallerbach në Austri për ecje të bukura në male, paqe dhe qetësi. Por mbrëmjen e së mërkurës, 2 turistë që kishin dalë për të ngrënë darkë u kthyen me mavijosje në hotel.

Policia, e cituar nga “BBC”, tha se pronari 56-vjeçar i restorantit, identiteti i plotë i të cilit nuk bëhet i ditur, iu përgjigj ankesës së tyre duke ua hedhur ushqimin në fytyrë.

“Nuk kam përjetuar kurrë diçka të tillë”, tha një prej turistëve, duke shtuar se pronari i restorantit ishte i dehur.

Kur njëri prej tyre u përpoq të telefononte policinë, pronari raportohet se i nxori jashtë. Një tjetër familje me 4 persona po ashtu doli nga lokali pas zënkës.

Edhe kur mbërriti policia pronari i restorantit vazhdoi të ishte abuziv me turistët, çka solli edhe procedimin e tij.

Sipas medias austriake, restoranti ku ndodhi incidenti njihet për ushqime të mira tradicionale dhe është popullor për alpinistët, çiklistët dhe udhëtarë të shumtë.

Artikulli paraprakASSANGE THOTË SE DO TË KUNDËRSHTOJË EKSTRADIMIN NË SHBA
Artikulli tjetërINTESIFIKOHET AKSIONI OPOZITAR, TË ENJTEN E ARDHSHME RRUGËT BLLOKOHEN PËR 3 ORË