Ansi Agolli është shfaqur në sallën e konferencave në stadiumin “Renzo Barbera” pak minuta më vonë se sa trajneri De Biazi dhe ka gjetur përpara tij vetëm gazetarët shqiptarë pasi ata italianë ishin larguar.

“Shpresoj që edhe trajneri i Italisë të ketë të njëjtin vlerësim si mediat italiane për ne”, ishte batuta e lojtarit. Ndaj edhe për faktin se ishte më i shpenguar përballë përfaqësuesve të mediave “të shtëpisë”, Agolli nuk ka ngurruar edhe të bëjë ironi edhe me Italinë që çoi ndeshjen në Palermo për të evituar pushtimin e tifozëve shqiptarë. “Mendoj se Italia nuk e kishte menduar praninë e arbëreshëve para se ta sillte ndeshjen këtu”, tha ai duke qeshur, pasi ishte mësuar se një qytezë e tërë kishte planifikuar të ndiqte takimin. “Sicilia është një vend që është afër Shqipërisë, është emocion mjaft i madh që të kesh këtë kontakt me këto njerëz që për shekuj jetojnë në këtë vend dhe ruajnë me shekuj origjinën dhe gjuhën mëmë”, u shpreh kapiteni i përfaqësueses. Duke iu referuar faktit që atmosfera në Shqipëri nuk ka qenë aq e ndezur sa më parë, Agolli e cilëson këtë një “normalitet”. “Ne gjithmonë i kemi këto, kur humbim është tmerr i paparë në Shqipëri, përjetohet keq. Por unë e shoh si ndeshjen e radhës, ne duhet të bëjmë detyrën te kjo ndeshje, se çfarë do japim në fushë, atë e shohim nesër”, ka thënë më tej ai. Ndërkaq, i pyetur për lojën në mbrojtje të Shqipërisë dhe për një “katenacco” të mundshme si ajo ndaj Spanjës, Agolli nuk ka ngurruar t’i dërgojë një mesazh të qartë edhe trajnerit De Biazi. “Nuk mendoj se duhet të rrimë në mbrojtje dhe të luajmë në portën tonë. Nuk duhet të rrimë të presim grushtet e Italisë”, theksoi kapiteni Agolli.

Artikulli paraprakSINJALI I GJERMANISË: MË PAK EKSPORT ARMËSH DREJT TURQISË
Artikulli tjetërSNAPCHAT, RRJETI MË I PREFERUAR PËR TË RINJTË