Informalitet, zaptim të pronave publike dhe pasiguri. Këto ofrojnë plazhet në Lezhë, një situatë e evidentuar nga inspektimet në terren të prefektit të Lezhës, i cili ka paralajmëruar një aksion të gjerë nga dita e nesërme, për të goditur paligjshmërinë në këto plazhe, si nga operatorët turistikë ashtu edhe nga autoritetet që sipas tij duhej të kishin ndërhyrë me kohë.

***

Pavarësisht masave, nëse merr çadrën me vete dhe tenton të kërkosh për plazhe publike në Shqipëri, është ende e vështirë. Një situatë e tillë është edhe në plazhet e Tales, Kunë-Vain, Shëngjin dhe Rana e Hedhun, bregdete që së fundi po frekuentohen në masë nga turistët për shkak të disa investimeve të kryera në zonë. Megjithatë kjo nuk mjafton.

Prefekti i qarkut të Lezhës, Gjokë Jaku, i ka dërguar një letër Bashkisë së Lezhës që deri në mes të gushtit kur të bëjë betimin kryebashkiaku i ri, Pjerin Ndreu, drejtohet ende nga Fran Frrokaj duke e bërë përgjegjësin kryesor të kësaj situate. Thirrja e Prefektit shkon edhe për Prokurorinë e Lezhës, Policinë, Drejtorinë e Tatim Taksave si dhe inspektorët që veprojnë në territor në kuandë të aksioneve anti-informalitet. Prefekti thotë se ka dërguar grupe inspektimi në terren të cilët kanë konstatuar një situatë aspak normale për të kënaqur pushuesit. Mungesë hapësirash për plazhe publike si pasojë e zaptimit të pronës publike pa asnjë kriter nga privati, papastërti, mungesë e kufizuesve ujorë që garantojnë sigurinë e pushuesve në det, si dhe mungesë e rojeve të trajnuara bregdetare. Në konstatimet e Prefektit, thuhet se niveli i informalitetit është shumë i lartë.

Prefekti i Qarkut Lezhë thekson se këto probleme janë adresuar dhe po haset neglizhencë e sidomos në Bashkinë Lezhë. Në këto kushte, ai paralajmëron se nga dita e nesërme “të gjitha organet ligjzbatuese do veprojnë me ashpërsi në zbatim të ligjit për ndryshimin rrënjësor të situatës”.

Letra e plotë e Prefektit

THIRRJE E PREFEKTIT TË QARKUT LEZHË DREJTUAR:

-Bashkisë Lezhë;

-Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë;

-Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë;

-Drejtorisë së tatim taksave;

-Të gjithë inspektorëve që veprojnë në territor.

Grupi i punës i ngritur nga Prefekti më dt.24.06.2019, kanë kryer një inspektim të pergjithshëm të gjëndjes aktuale në zonën e plazheve Tale, Kune-Vain, Shëngjin dhe Ranë Hedhun.

Gjatë inspektimeve janë konstatuar këto probleme të cilat e bëjnë të papranueshme gjendjen në këto plazhe:

-Niveli i sigurisë së pushuesve është për të dëshiruar, për shkak të mungesës së rojeve të trajnuar për këtë gjë;

-Niveli i informalitetit është alarmant, shfrytëzim pa kriter e pa asnjë kontratë e pronës publike;

-Mungesë ekstreme e sipërfaqeve publike plazh publik;

-Mungesë e theksuar e kufizuesve ujorë;

-Probleme të mëdha të higjienës e pastërtisë.

Të gjitha këto mangësi i kemi adresuar pothuaj çdo ditë, por ndeshim në neglizhencë e mosveprim të disa aktorëve, ndër të cilët rolin më të rëndësishëm e ka Bashkia Lezhë.

Ju bëjmë me dije të gjithë aktorëve përgjegjës, si dhe operatorëve turistikë, poseduesve formalë e informalë të sipërfaqeve të plazhit, se nga dita e nesërme, të gjitha organet ligjzbatuese do veprojnë me ashpërsi në zbatim të ligjit dhe vetëm të ligjit për ndryshimin rrënjësor të situatës.

Çdokush duhet të mbajë përgjegjësi për mospërmbushjet apo mosveprimin sipas ligjit.

Artikulli paraprakDOSJA “TOYOTA YARIS”, BASHA THIRRET NË PROKURORI NË ORËN 09:00
Artikulli tjetërZHBLLOKOHET GJYKATA E LARTË/ DREJT PËRZGJEDHJES GRUPI I SHQYRTIMIT TË ÇËSHTJEVE TË EKSTRADIMEVE