Anti-mafia, pasuria e politikanëve do t’u konfiskohet dhe të afërmve. Të afërmit e funksionarëve dhe ish-funksionarëve të lartë do të jenë objekt i ligjit të ri Anti-mafia.

Nëse ndryshimet e miratuara në mars të vitit 2014 parashikojnë konfiskimin e pasurive të paligjshme të zyrtarëve të lartë, ndryshimet e reja parashikojnë konfiskimin e pasurive të pajustifikuara dhe të regjistruar në emër një rrethi njerëzish, të lidhur me subjektin e dyshuar dhe të akuzuar. Drafti i hartuar nga ekspertët e EURALIUS, bazuar në propozimet e bëra nga PAMECA, zgjeron rrethin personave, të cilët do të përfshihen automatikisht në procedurën gjyqësore të konfiskimit të shtëpive dhe parave cash. Konkretisht, do të konfiskohen transferimet dhe regjistrimet e pasurive të politikanëve dhe të gjithë zyrtarëve, të kryera brenda dy viteve përpara paraqitjes së kërkesës për marrjen e masës parandaluese, në emër të bashkëshortit, fëmijës, të paralindurit, të paslindurit, vëllezërve, motrave, xhaxhallarëve/dajave, hallave/tezeve, nipërve/mbesave, fëmijëve të vëllezërve dhe motrave, vjehrrit, vjehrrës, dhëndrit, nuses, kunatës, kunatit, bashkëjetuesit, thjeshtërit, thjeshtrës, njerkut dhe njerkës. Kur vërtetohet se disa pasuri i janë transferuar apo janë regjistruar në emër të të tretëve, me veprime juridike fiktive ose të simuluara, gjykata konstaton pavlefshmërinë e këtyre veprimeve juridike. Për këtë qëllim, kur nuk provohet e kundërta, konfiskohet pasuria. Drafti ka shtuar veprat penale në fushën e zbatimit të ligjit Anti-mafia. Në fushën zbatimi të Anti-mafias, përpos korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, është përfshirë edhe ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Sipas draftit, verifikimet bëhen, në veçanti, personat janë zotërues të lejeve, licencave, autorizimeve, koncesioneve dhe të drejtave të tjera për të ushtruar veprimtari ekonomike,tregtare dhe profesionale, si dhe për të verifikuar nëse ata përfitojnë kontribute, financime ose kreditime të çdo lloji, të dhëna apo të përfituara nga shteti, ente a persona juridikë publikë, organizma ose institucione ndërkombëtare, si dhe për të verifikuar nëse pasuritë, veprimtaritë apo të drejtat pasurore janë të përligjura.Pasuritë e konfiskuara me vendim gjykate, sipas këtij ligji, kalojnë në pronësi të shtetit. Vendimi i formës së prerë për konfiskimin e pasurive i dërgohet menjëherë Agjencisë sëAdministrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Kur vendimi i konfiskimit merr formë të prerë, pasuria kalon në pronësi të shtetit në mënyrë të pakthyeshme.

Artikulli paraprakIMPORTI I MBETJEVE,RIKTHEHET DRAFTI I TRE DEPUTETEVE
Artikulli tjetërI DEHURI DETYRON AVIONIN TE BEJE ULJE EMERGJENTE