Pasditen e së premtes në stadiumin e qytetit të Beranes ka qenë planifikuar të zhvillohej ndeshja miqësore në mes ekipit të Vllaznisë dhe malazezëve të Petnjicës.
Ky takim pritej me interes ndonëse edhe niveli i kundërshtarit nuk ishte i lartë megjithatë stafi teknik do të testonte dy lojtarët e sapoardhur në provë, Kesinoviç dhe Onuoha. Por kjo miqësore nuk është zhvilluar. bëhet e ditur se në familjen e presidentit të ekipit Petnjica ka ndodhur një fatkeqësi dhe për këtë arsye të gjithë pjestarët e skuadrës i janë gjendur pranë numrit 1 të klubit që ka humbur një nga pjestarët e tij të familjes.
Ende nuk dihet nëse kjo miqësore do të zhvillohet në ditët në vazhdim apo jo, por gjasat janë që Vllaznia të kthehet në Shkodër pa zhvilluar asnjë miqësore ngaqë ekipet malazeze tashmë janë në kampionat i cili ka dy javë që ka filluar. Ndërkohë takimi i shumëpritur i administratorit të KF Vllaznia Astrit Gjyrezi me futbollistin shkodran Erjon Vucaj mësohet se më në fund është zhvilluar.
Ka disa ditë që në media flitet për një takim të tillë por ai është realizuar dhe nga sa mësohet, nuk ka zgjatur shumë bëhet e ditur se administratori ka dëgjuar nga lojtari pretendimet financiare dhe dëshirën për t’u veshur kuqeblu por asgjë nuk ka përfunduar në këtë takim. Në ditën e ardhshme pritet të merret vendimi përfundimtar nëse Erjon Vucaj do të bashkohet me Vllazninë për sezonin e ri apo jo.